Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier
Në vijim të komunikimeve me gazetarët e emisionit “Fiks Fare” dhe me qytetarët, përsa i përket rastit të transmetuar mbrëmë, në këtë emision, gjatë të cilit u pretendua se ishin dhunuar 2 varre, në varrezat e fshatit Grecalli, ju informojmë se:
Nga tërësia e veprimeve hetimore (këqyrje e zonës së varreve që pretendohej se ishin dhunuar dhe intervistime të punëtorëve të bashkisë Fier, atyre për pastrimin dhe gjelbërimin, si dhe administratorit të njësisë administrative Qendër) të kryera për verifikimin e këtij pretendimi, veprime këto të dokumentuara me pamje, ka rezultuar se nuk ka hapje, dëmtim apo dhunim të ndonjë varri, por për shkaqe atmosferike dhe gjatë pastrimeve në territorin e varrezave, kishin lëvizur dherat dhe objekte të tjera simbolike (lule).
Për këtë problematikë është komunikuar me shërbimet përgjegjëse, të cilat do të marrin masa për pastrimin dhe mirëmbajtjen e zonës.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon median dhe qytetarët për denoncimin e indicieve që ata kanë për paligjshmëri të ndryshme, si dhe i fton ata që të vijojnë ta bëjnë këtë, në çdo njësi policore në qark ose në numrin pa pagesë 112.