Kryeministri Edi Rama njoftoi reformën për ndryshimin rrënjësor të procesit të dhënies së plazheve tek privati. Këtë herë vëmendja do të jetë tek plazhet publike.
Por çfarë parashikon kjo reformë?
Lejet e plazhit do të jepen vetëm për hotelet. Lejet për beach bare apo për ristorante do të jepen pa lejen për të vendosur shezllone përpara lokalit duke mos lejuar në këtë mënyrë hapësirat për plazhe publike. Gjithashtu bashkitë do të marrin hapësira e të vendosin çadra dhe shezllone me çmim tavan të detyruar e të përballueshëm për qytetarët.
Çfarë paralajmëroi Rama?
Vitin tjetër ne do të ndryshojmë sistemin dhe nuk do të lejojmë shezllonet përvecse se ata kanë hotele, bëri të ditur Rama sot në podcastin e tij.
“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardh një individ, një person juridic apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezllone. Mund të vësh beach bar por nuk ke shezllone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezllone.
Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është e pamundur.
Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezllone e të marrësh popull aty e ti detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezllone për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezlloni në shezllon.
Nuk mund ti çosh shezllonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të biejnë me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhen në plazhë. Kështu do të krijojmë një fashë atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit e ti do të tërhiqesh prapa”, tha Rama.
Bashkitë do menaxhojnë hapësira plazhi me çmim tavan
Vec plazhit publik, hapësira plazhi do të marrin bashkitë të cilat do të vendosin shezllone e ngrenë çadra me një çmim tavan të detyruar
“Do ta fillojmë me bashkitë, që bashkitë të marrin hapësira e të vendosin bashkitë çadra. Aty ku është e arsyeshme e shezlloneve, por me çmim tavan të detyruar. E kemi filluar prej disa vitesh, këtë vit e shtymë më përpara që bashkitë ta administrojnë. Lezha është model se është polic ai kryetari i bashkisë së Lezhës (Shënim:. Shakaja është gjysma e së vërtetës.
Është e rëndësishme që dy pensionistë të kenë mundësi të shkojnë në Vlorë, Velipojë, apo Shëngjin të shkojnë e të rrinë me një cmim shumë të arsyeshëm. Të kenë mundësi njerëzit të rrinë me çadrat e tyre, dhe ata të paguajnë një shumë minimale se duhet për të pastruar ajo shuma.
Duhet çliruar komplet ajo mushkëri e detit dhe e rërës nga të gjithë insektet që e sulmuan rëndë këtë vit. Të gjitha këto, dhe të tjera e të tjera do të sjellin rritjen cilësore, që natyrisht do të bëhet shumë domethënëse kur këto investime të mëdha që janë rrugës të shqiptarëve, amerikanëve, arabëve, europianëve të fillojnë të hapin dyert për të dhënë shërbimin e nivelit më të lartë.
Të gjitha nivelet e popullsive duhet të kenë korsinë e tyre por nuk mund të shkohet në ekstrem, as në njërën as në tjetrën. Nuk mund ti mbyllim derën e turistëve me çantë në krah por duhet të kombinojmë shumë gjëra” tha Rama.
Pse kjo reformë?
“Këtë vit turizmi sa i takon numrave ka qenë i kënaqshëm, por problematikë është vënë re tek mungesa e plazheve publike, dhe shezllonet e vendosura nga private të cilat ishin me cmime shumë të larta. Prandaj vëmendja do i kushtohet cilësisë.
Të vijë ai klienti që këta e presin duhet të investojnë më shumë tek njerëzit që janë aty brenda që i presin sesa tek gipsi e tavanet. Që të vijnë ata duhet patjetër të ndryshojë mënyra si ne organizohemi në nivelin e qeverisjes vendore të agjencive tona. U krijua një volum i madh dhe pritshmëria dhe o burra të gjithë me shezllone.
Ata shezllonet këtë vit e bënë me sukses kryerjen e misionit të tyre të ardhjes në majë të hundës të të gjithë popullit”, u shpreh Rama.
Podkasti: “Dy patronazhistë të Shqipërisë turistike”
Në episodin e parë të sezonit të tretë, të podkastit “Flasim” kryeminstri Edi Rama kishte të ftuar 2 personazhe të rëndësishme në fushën e turizmit. Gladiolën, të cilës pasi përfundoi studimet në Austri iu deshën disa vite të hynte në tregun e zhvillimit të turizmit. Rama i cilësoi ata si “dy patronazhistë të Shqipërisë turistike”.