Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij mbajtur në Grupin e PS, ku foli për masat e sigurisë të GJKKO-së për pedagogët në UBT tha se duhet që të garantohet me çdo kusht drejtësia europiane.
Rama theksoi se në Strasburg, tashmë persona të hetuar e të dënuar nga SPAK kanë dalë të pafajshëm. Ai shtoi se kjo do të thotë se shteti shqiptar ka kosto të madhe financiare. Kreu i qeverisë nënvizoi se PS është e vetmja garante sot e reformës në drejtësi.
Kryeministri u shpreh se nuk do që “nesër ose pasnesër” të dalë ndonjë holandez ose francez e të thotë se në Shqipëri gjykatat dhe prokuroritë nuk funksionojnë në mënyrë europiane.
Edi Rama: Profesionalizmi dhe standardet demokratike janë kushte që nuk negociohen. Unë nuk dua që të çohet një holandez e të thotë se Shqipëria nuk ka gjykata e prokurori që ka standarde demokratike dhe nuk njeh prezumimin e pafajësisë. Nuk e di ku kanë qenë këta Afrimët dhe largimët kur SPAK është sulmuar kafshërisht dhe u kujtuan tani? Të gjejnë një rast ku partia në pushtet mos ta mbrojë dikë që është akuzuar nga drejtësia, përpos nesh? Po tani që Amerika ka dalë nga rreshti, kush është garanti i drejtësisë së re? Vetëm PS, askush tjetër.
Dje ka nisur një fillim mbrapsht për Shqipërinë në Strasburg dhe shumë masa sigurie mund të rrëzohen në Strasburg. Këto kanë kosto tepër të madhe. Ne nuk mund të themi se le të torturohen dhe njerëz të pafajshëm. Kjo nuk ka kuptim.