Ballina Aktualitet Rama për fitoren e Trump: Mund të jetë një gjë e mirë...

Rama për fitoren e Trump: Mund të jetë një gjë e mirë për Evropën.

Rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, si Presidenti i 47-të i SHBA-ve, është komentuar kështu nga Kryeministri Edi Rama, nga Budapesti i Hungarisë.

“Mënyra si e shoh unë është se është bërë shumë zhurmë, ndoshta, jo në mënyrën e duhur për kthimin e tij të mundshëm”

Këtu e ka më shumë fjalën për qasjen e Presidentit Trump ndaj NATO-s.
“Përvoja më thotë që kur ishte president dhe të gjithë thonin se NATO do të bëhej më e dobët, NATO-ja u bë më e fortë. Kështu që, le të shohim dhe le të mos bëhemi histerikë përpara se të shohim realitetin”

Por dhe politikën e tij të re që do të ketë ndaj Europës në tërësi.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk mendoj që kjo do të jetë domosdoshmërisht diçka e keqe për Evropën. Mund të jetë një gjë shumë e mirë për Evropën”

Vëmendje do të ketë dhe raporti i ri i SHBA-ve ndaj Ukrainës në luftë. Trump ka deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet, ndihmat financiare dhe ushtarake për Kievin do të ndaleshin dhe ajo luftë nuk duhet të kishte nisur asnjëherë. Por cfarë do i thoshtë Rama Presidentit ukrainas, Zelenski lidhur me këtë?

“Mendoj që nuk është domosdoshmërisht diçka për t’u shqetësuar për shkak të tij, por diçka për të reflektuar, për të bërë shumë më tepër për të pasur një Evropë shumë më të fortë. Kur u zgjodh herën e parë, të gjithë po dridheshin, sepse ndoshta NATO-s do t’i vinte fundit, por NATO-ja u bë më e fortë. Ndaj, nuk mendoj se ajo çfarë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është diçka që duhet ta shohim si shqetësuese. Në të kundërt, mund të jetë një mundësi e madhe për të bërë gjërat ndryshe për ne dhe për botën.”

Këto deklarata kryeministri i përcolli ndërsa ndodhet në Budapest, për takimin e 5-të të Komunitetit Politik Europian, së bashku me 47 kryetarë shtetesh e qeverish nga e gjithë Europa. Vitin e ardhshëm është Tirana vendi pritës i takimit të 6-të të Komunitetit, duke rikthyer për të disatën herë lidër europian në Shqipëri.