Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Abu Dabi. Kreu i qeverisë, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, deklaroi se do të finalizohet marrëveshja trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.
Rama shtoi se kjo marrëveshje do të vendosë një tjetër gur kilometrik, në rrugën e Shqipërisë drejt pavarësisë energjetike.
“Përshëndetje nga Abu Dabi. Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik, në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministrin e Italisë, miken e shtrenjtë, Giorgia Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një tjetër mik, sheiku Mohamed bin Zayed inalizojmë marrëveshjen trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri. Lidhja do të ketë pronësi të trefishtë, e nga ana tjetër do të mbështetet nga investime domethënëse të përbashkëta, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të Shqipërisë. Kjo shkon edhe në funksion të ambicies sonë për t’u bërë të pavarur nga importi, por na jep edhe një rol së shpejti, si eksportues në BE. Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetprodhuesve familjare apo biznes nga energjia diellore në rajon. Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar në zero përqind në afro 10 përqind të prodhimit tonë të brendshëm energjetik.
Plani ynë është të arrijmë në 30 përqind brenda mandatit tonë të katërt. Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon që nuk e rriti çmimin e energjisë elektrike gjatë krizës evropiane të vitit 2022-2023 dhe që nga data 1 shkurt, Shqipëria do të bëhet i vetmi vend evropian që ul çmimin e energjisë, jo pak, 10.5 përqind. Me këtë masë, ne bëehmi ndër vendet me çmimin më të ulët në Evropë dhe raon dhe u kursejmë qytetarëve tanë 31 milionë euro në vit nga fatura e energjisë elektrike”, theksoi ai.