Ballina Shqiperia ime Rama mbyll takimet me 13 drejtuesit e qarqeve, mbledh të mërkurën Kryesinë...

Rama mbyll takimet me 13 drejtuesit e qarqeve, mbledh të mërkurën Kryesinë e PS

Mbyllet takimi maratonë i së dielës, i kryeministrit Edi Rama me 13 drejtuesit politikë të PS në qarqe.

Takimet zgjatën 8 orë dhe kanë qenë bisedime “kokë më kokë” me secilin prej drejtuesve, mbi propozimet e tyre për listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.

Në dallim nga qarqet e tjera, Tirana ka 3 drejtues politikë, Erion Veliaj që ndodhet në burg, Ogerta Manastirliu e cila ishte ndër të parat që u takua me Ramën pasditen e së dielës. Ndërsa drejtuesja e dytë për Tiranën, Elisa Spiropali ka qenë ajo që ka mbyllur maratonën e bisedimeve për emrat kandidatë për deputetë.

11 drejtuesit e tjerë të qarqeve, kanë dhënë propozimet për emrat që konsiderojnë si përfaqësues më të mirë të qarkut të tyre, por do të jetë kryesia e PS dhe vetë Rama që do të thotë fjalën e fundit për këto propozime.

Kryesia e PS-së do të mblidhet më 12 mars.

Takimet me drejtuesit politikë të PS në qarqe nisën të dielën në orën 10: 00 dhe paradite u takuan “kokë më kokë” me Ramën, 7 prej tyre. Bisedimet me 6 drejtuesit e tjerë politikë socialistë rinisën në orën 15:00 të ditës së dielë dhe përfunduan në orën 18:00.

Takimet u zhvilluan në vilën qeveritare nr. 30.

Në takimet e paradites së të dielës, Rama u takua me Blendi Klosin, drejtuesi politik i qarkut të Dibrës, Mirela Kumbaro, drejtuesja politike e qarkut të Gjirokastrës, Ulsi Manja drejtues politik i qarkut të Lezhës, Emirjana Sako, drejtuese politike e qarkut të Durrësit, Benet Beci, drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës, Bledi Çuçi, drejtues politik i qarkut të Vlorës dhe Niko Peleshi, drejtues politik i qarkut të Korçës.

Takimet e pasdites Rama i nisi me Eduard Shalsin, drejtuesin politik të qarkut të Kukësit, Ogerta Manstirliu drejtuesen politike të Tiranës, Ervin Demo, drejtuesi politik i qarkut të Beratit, Belinda Balluku, drejtuese politike e qarkut të Fierit dhe Arbjan Mazniku, drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit.

Për 11 majin, secila partia/koalicion do të garojë me 46 deputetë në listë të mbyllur dhe 140 të tjerë në listë të hapur.

Gjatë dy ditëve të takimit me ministrat dhe drejtuesit politikë, (7- 8 mars)  është diskutuar gjithashtu për programin e Partisë Socialiste në çdo sektor, dhe retorikën politike që do duhet të zbatojnë në terren me qytetarët: “Me ne drejt BE, me ata në kënetë”.