Të ftuarit e radhës të kryeministrit Edi Rama në Podkastin “Flasim” ishin katër të rinj të cilët edhe pse ndajnë interesa të ndryshme i bashkon fakti se janë rikthyer në Shqipëri për të ndjekur dhe zhvilluar më tej pasionet e tyre, të kthyera tashmë në iniciativa biznesi.
I emërtuar “Shqipëri ëmbëlsi” ky podkast solli eksperiencat e Ersit dhe Fatjonit, ushtrues të sporteve ujore të cilët kanë krijuar platformën “Kitesurf Albania”.
E ndërtuar duke pasur si pikënisje vetëm pasionet e dy të rinjve, tashmë ky sport në Shqipëri ka ndjekësit e vetë, ndërsa është bërë edhe pikë takimi e turistëve të huaj.Fatjoni tregoi se si vendosi të lërë jetën dhe bizneset e krijuara në Itali dhe Spanjë dhe të kthehet në Shqipëri për të ushtruar këtë sport ujor të panjohur më parë.Ne ushtrojmë kitesurfing të paktën 100 ditë në vit. Klima e Shqipërisë është shumë e favorshme për ushtrimin e këtij sporti, të cilin kur e nisëm ishim vetëm tre persona dhe tani kemi arritur në mbi 30 persona, pa përfshirë këtu turistët e huaj që vijnë na kërkojnë”, tha ai.
Ersi tregoi se ky sport e ka origjinën në Holandë dhe janë pikërisht turistët holandezë që janë shumë të interesuar për të ardhur në Shqipëri edhe për këtë qëllim. “Statistikisht holandezët vijnë ta ushtrojnë kitesurfing në Shqipëri”, tha ai.
Holandezët janë tregtarët më të mëdhenj, vijnë këtu se është më lirë. Gjirokastritët para holandezëve janë bujarë, janë tironsa. Ata vijnë te ju se është më lirë. Edhe pse ka njerëz që thonë se këtu është shtrenjtë, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Rama.
Dy të rinjtë i kërkuan kryeministrit Rama që të kenë një stacion bazë për ushtrimin e kitesurfing pranë Porto Romanos, ndërsa kryeministri i siguroi se kjo do të realizohej.
Ndërkohë Sara nga Britania e Madhe dhe Naimi i lindur në Shqipëri, por nga prindër të huaj ndanë me kryeministrin Rama interesin për të zhvilluar më tej biznesin e tyre në Shqipëri.
Naimi tregoi se përtej bizneseve të krijuara jashtë vendit ku edhe ka jetuar më parë, vendosi të kthehej në Shqipëri për të ngritur platformën “Visit Albania”, e cila synon të orientojë më tepër turistë të huaj drejt Shqipërisë.
“Në Angli fatkeqësisht ka pak paragjykim për njerëzit shqiptar. Mendoj se njerëzit shqiptarë janë shumë, shumë mikpritës dhe nuk është e vërtetë çfarë thuhet në Angli”, tha Sara.
“Kjo nuk diskutohet. Ja fusin kot edhe ata. Por kanë filluar të ndryshojnë edhe ata se kanë qenë keq fare. Kanë filluar të ndryshojnë”, u shpreh Rama duke folur për opinionin e britanikëve për shqiptarët.
Në përfundim të podkastit, kryeministri kishte një apel për emigrantët që të kthehen në Shqipëri.
E shikoni apo jo. Kanë ardhur nga fundi i botës dhe duan të jetojnë në Shqipëri. Ja ku janë Sara nga Kembrixhi, dentiste, dhe Naimi biznesmen. Kanë ardhur këtu sepse ka një gjë këtu që nuk e gjen dot askund tjetër. Është e njëjta gjë që kam kuptuar unë kur jam kthyer. Hajde kthehuni. Kthehuni edhe për të pirë një kafe tamam”, tha Rama.