Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.Teksa Rama ende nuk ka bërë një reagim për këtë telefonatë, Zelensky, përmes një postimi në platformën “X”, falenderon Shqipërinë për mbështetjen ndaj Ukrainës.
“Kam pasur një bisedë të mirë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Falenderoj qeverinë dhe popullin shqiptar për mbështetjen e dhënë ndaj Ukrainës dhe popullit tonë. Ne diskutuam shumë tema, projekte të përbashkëta dhe perspektiva më të gjera”, shkruan lideri ukrainas.
Ndërkohë, teksa gjatë bisedimeve për fundit e luftës në Riad, mori pjesë SHBA dhe Rusia, ndërsa u përjashtua vetë Ukraina dhe Evropa, Zelensku thekson qëndrimin e tij se Evropa duhet të jetë në tryezën e bisedimeve.
“Gjithçka në lidhje me Evropën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Evropës, dhe gjithçka për Ukrainën duhet të jetë me pjesëmarrjen e Ukrainës. Një vizion i përbashkët dhe hapa të koordinuar janë thelbësore për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. Ne po punojmë së bashku për të forcuar sigurinë në të gjithë Evropën. Faleminderit për mbështetjen tuaj”, mbyll statusin e tij Zelensky.