Qumështi vendas mbetet më i shtrenjtë sesa ai i Europës, nga subvencionet e ulëta, edhe pas rënieve të njëpasnjëshme të çmimeve. Çmimi më i shtrenjtë vijon të nxisë shtimin e importeve nga Italia dhe Sllovakia. Në muajt janar-maj, importet u zgjeruan me 4%. Për ekspertët, qumështi po grumbullohet nga fabrikat nën koston e prodhimit të fermerëve, ndërsa pritet rënie e krerëve të kafshëve. Konsumi ende nuk është rikuperuar.
Qumështi i prodhuar nga fermeri vendas vijon të mbetet më i shtrenjtë, krahasuar me qumështin e prodhuar në rajon apo Europë, pavarësisht uljeve të shpeshta të çmimit, që u shoqërua dy herë me protestë nga blegtorët në muajin prill.
Për rrjedhojë, fabrikat përpunuese po shtojnë sasitë e qumështit të importuar, si lëndë të parë, kryesisht nga Italia, Sllovenia dhe Serbia.
Sipas të dhënave të Doganave, në periudhën janar-maj 2024 u importuan 7,1 milionë litra qumësht. Kjo është sasia më e lartë e periudhës që prej vitit 2017, kur nisi zbatimin për herë të parë skema e TVSH-së së kreditueshme 20% për agropërpunuesit.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2023, importet e qumështit u rritën me 4%. Ndërsa importet e qumështit pluhur për muajt janar-maj ranë me 45%, sipas të dhënave të Doganave.
Sipas të dhënave të Doganave, 27% e qumështit të importuar vjen nga Italia, 16% e totalit të importeve e zë qumështi nga Sllovakia, 14,5% importet nga Hungaria, 13% nga Bosnjë-Hercegovina, 11% nga Kosova, rreth 9% nga Serbia etj.
Sipas operatorëve vendas, në Europë, prodhimi i qumështit ka qenë i mbarë dhe ka shumë tepricë me çmime të ulëta.
Luis Ndreka, nga kompania ADG (ish-“Lufra”) pohoi se aktualisht po importojnë 5% të totalit të qumështit, të përdorur si lëndë të parë, nga shtete si Sllovenia, Hungaria dhe Serbia.
Në muajt korrik-gusht, lënda e parë nga importi pritet të zërë 30% të totalit të qumështit të përdorur për prodhim.
“Në këtë periudhë, lënda e parë e importuar është më pak se 5% e totalit, por në muajt korrik dhe gusht, arrin deri në 30% të totalit.
Pas përfundimit të verës, nivelet e importit pothuajse zerohen”. Ai thekson se mesatarisht, çmimi i qumështit të lopës nga importi, përfshirë koston e transportit dhe taksave, arrin në 55 lekë për litër, rreth 38 lekë për litër më lirë sesa prodhimi vendas.