Ballina Aktualitet PS çel zyrtarisht fushatën elektorale! Çfarë pritet të ndodhë?!

PS çel zyrtarisht fushatën elektorale! Çfarë pritet të ndodhë?!

Partia Socialiste hap sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Mesdita do të gjejë socialistët në sheshin Skënderbej, ku do të mbahet tubimi i madh, ndërsa ajo që është e veçantë është përzgjedhja e numrit 12 si simbolikë e takimit.

“12 prill nga 12 qarqe rreth 12 yjeve të Europës në 12.00, familja jonë e madhe politike, mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv Shqipëria 2030 në BE”, shkroi Rama në rrjetet sociale kur njoftoi takimin.

Data e sotme është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, që është edhe fokusi ifushatës së kryeministrit Rama, pra integrimi në Bashkimin Europian.

Fjala kryesore pritet të jetë ajo e kryesocialistit Rama i cili do të flasë në lidhje me objektivin e fushatës, pra jo vetëm një fitore e thjeshtë, por bindëse.

Në rubrikën n”Sy m’sy” ai u shpreh se PS duhet të punojë që më 11 maj të sigurojë 1 milion vota, duke “blinduar” kështu një mandat të katërt.

Ndërkohë ditën e djeshme Rama ka mbledhur gratë socialiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, aktivitete që zgjati rreth 2 orë e gjysmë. Kreu i qeverisë në fjalimin e tij theksoi rëndësinë që kanë për PS gratë, duke u shprehur se vota e tyre do të jetë vendimtare më 11 maj.

Ai tha gjithashtu se nuk është e largët dita kur vendi ynë do të ketë një kryeministre grua, që u shpreh i bindur se do të jetë nga radhët e socialistëve.