Ballina Shqiperia ime PROKURORIA FIER dergon ne gjyq kompanine dhe administratorin per ndotjen e mjedisit

PROKURORIA FIER dergon ne gjyq kompanine dhe administratorin per ndotjen e mjedisit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shoqërinë ‘N….’ shpk dhe administratorin e saj, shtetasin S.O. për veprën penale ‘Ndotja e ajrit, e ujërave dhe tokës’ e parashikuar në nenin 201/1 të Kodit Penal.

Kompania në fjalë u denoncua më datë 27.04.2024 në Komisaritin e Policisë Lushnjë, ku shtetasi Z.K., bëri kallëzim penal për ndotje të ujit të kanalit në fshatin Allprenaj, nga fabrika e peshkut “N…….” Sh.p.k. Kjo shoqëri ushtron aktivitetin e saj në fushën e përpunimit të peshkut, në fshatin Allprenaj, Lushnjë dhe mbetjet nga procesi i përpunimit të peshkut i shkarkonte në kanalin kullues në afërsi të vendit ku ushtron aktivitetin. 

Nga hetimet e procedimit penal nr.759 datë 05.07.2023, rezultoi se në vendin ku shkarkoheshin mbetjet e fabrikës nga analizat e ujit të marrë në kanalin kullues të fshatit Allprenaj, të kryera nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit u konstatuan prani e lartë e lëndëve organike, amoniakut dhe fosforit, duke i klasifikuar ujwrat në cilësi të keqe. I njëjti fakt u konstatua edhe nga analizat e kryera prej vet shoqërisë. Nga këto analiza u konkludua se rezultatet e marra në lidhje me përcaktimin e përqendrimit të parametrave fiziko-kimikë dhe kimikë tregojnë se përmbajtja e tyre ishte më e lartë sesa vlerat e lejuara, të rekomanduara nga vendimi Nr.177, datë 31.03.2005 “Për normat e lejuara të shkarkimeve të lëngëta dhe kriteret e zonimit të mjediseve ujore pritëse”.

Në përfundim të hetimeve mbështetur në ligjin nr.9754, datë 14.6.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, si dhe nenit 201/1 të Kodit Penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, dërgoi për gjykim procedimin penal nr. 759 vitit 2023, në ngarkim të pandehurve shoqëria “N…” Sh.p.k., dhe administratorin e saj shtetasit S.O, me akuzën për kryerjen e veprës penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe tokës”, të parashikuar nga neni 201/1 i Kodit Penal.  
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit.