Ballina Aktualitet Programi i PD, Berisha: Rikthehemi tek çmimi 7 lek i energjisë elektrike...

Programi i PD, Berisha: Rikthehemi tek çmimi 7 lek i energjisë elektrike për familjarët, 6 lek për biznesin

PD thotë se do t’i rikthehet çmimit të energjisë elektrike për familjarët 7 lek për kilovatorë dhe 6 lek për biznesin.

Gjatë takimit me ekspertë të energjisë, ku prezantoi programin e PD për energjinë, Berisha tha se ky është një inkurajim i madh për suksesin e biznesit dhe klimën ndaj tij.

“Rezervat e Shqipërisë janë të mëdha në gaz dhe naftë. Janë të pamohueshme. Gjithnjë ky vend ka mikluar dhe ka tërhequr kompanitë më të mëdha të botës. Kanë ardhur, kanë ikë, por interesi po këtu është.

Një vend që ka fushën më të madhe të naftës onshore, nuk mund t’i largohen. Edhe në qoftë se largohen, prapë kthehen.

E rëndësishme është që ne të bëjmë çdo gjë që të vendosim praktikat më transparente në kërkimin, zbulimin, shfrytëzimin e burimeve energjetike të naftës dhe gazit në Shqipëri”.

Sipas tj, një potencial tepër i madh është vendosja e një sistemi unik energjetik midis Shqipërisë dhe Kosovës:, kështu deklaroi kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë takimit ku prezantoi programin e PD për energjinë.

Berisha tha se të paktën 20 përqind është përfitimi i dy vendeve.

“Prodhues energjie vetëm me qymyr, prodhues energji vetëm me ujë. Kombinimet dhe krijimi i një truri dixhital që i komandon si digat, ashtu edhe furrat, përbën një potencial tjetër të ri shumë të madh, shumë të rëndësishëm. Po atë e pengon mafia”, tha Berisha.

Duke iu referuar disa vendimeve si “tre kabllo trans-Adriatike të licencuar gjatë viteve 2008, Berisha tha se ato u harruan.

“Një në Otranto, tjetra në Porto Romano, tjetra në Lezhë. U harruan, asgjë.

Ndaj dhe ne kemi besim të madh tek projektet e mëdha të prodhimit të energjisë.

Ne kemi besim tek projektet që do mbështesin fuqishëm zhvillimin e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.