Lezha është perfshire gjatë 24 orëve të fundit nga erëra të forta që kanë krijuar probleme me rënie pemësh dhe shtyllash elektrike të tensionit të mesëm.
Si pasojë, janë shkaktuar dëme dhe mungesë energjie. Në orët e mbrëmjes, një pemë ra pranë urgjencës së spitalit rajonal të Lezhës, duke dëmtuar mjete dhe dy biznese, por fatmirësisht vetëm me dëme materiale. Disa pemë kanë rënë edhe në zona të tjera të qytetit, por pa shkaktuar dëme.
Ndërkohë, shumë fshatra vazhdojnë të mbeten pa energji si pasoje e dëmtimit të rrjetit elektrik, për shkak të erës së fortë. Në njësitë administrative Kallmet, Blinisht, Dajç, Balldren, Kolsh, Zejmen, Shënkoll, e disa fshatra të njësisë Shëngjin vazhdon të ketë mungesë energjie, pavarësisht se grupet e OSSHEE ndodhen ne terren.
Policia Rrugore në Lezhë njofton të gjithë drejtuesit e mjeteve të transportit të mallrave, veçanërisht ato me tenda, që do të kalojnë në urën e Matit, të tregojnë kujdesin maksimal gjatë kalimit në këtë segment rrugor. Nëse mjetet janë pa ngarkesë, ju kërkohet hapja e tendave për të shmangur rrezikun e destabilizimit nga era ose lëvizjet e papritura. Këto masa janë të nevojshme për të garantuar sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar incidente të mundshme.
Mesohet se në Kurbin janë mbyllur të gjitha shkollat. Dy shkolla janë mbyllur në Rrëshen, ndërsa në Lezhë, mësimi vijon normalisht.