Ballina Shqiperia ime Primaret per kandidat te PD ne FIER-Gentian Koci shpreh vullnetin per kandidim...

Primaret per kandidat te PD ne FIER-Gentian Koci shpreh vullnetin per kandidim per zgjedhjet e 11 Majit


Disa dite pas shpalljes se primareve nga kreu i PD Sali Berisha edhe ne Fier kane nisur te ndjehen ethet e gares.Gentian Koci nenkryetar i PD Fier ka shpallur kandidaturen per primaret per zgjedhjet e 11 Majit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në deklaratat publike ka qenë i prerë për respektimin e statusit, duke i hapur kështu rrugë mbajtjes së primareve, me shumë gjasë në muajin shkurt.

Postimi i Gentian Kocit

Të dashur anëtarë të Partisë Demokratike,
Miq demokratë të sfidave dhe betejave të përbashkëta,

Për mua, familja jonë e përbashkët, Partia Demokratike, nuk ka qenë thjesht një forcë politike në të cilën kam besuar dhe kontribuar për 15 vite pa asnjë ndërprerje, por edhe mundësia e vetme për të bërë më të mirën për Shqipërinë dhe për t’u shërbyer me përulësi qytetarëve. Me secilin prej jush, gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, kam ndarë si momentet e bukura ashtu edhe ato të vështira brenda PD-së. Gjithmonë jam përpjekur të jem njëri prej jush, të qëndrojmë krah për krah dhe të japim më të mirën për sfidat tona të përbashkëta.

Një nga kërkesat tona të vazhdueshme që përfaqësuesit tanë në qeverisjen lokale dhe qendrore të zgjidheshin nga anëtarësia, u kthye në një rregull statutor tre vjet më parë. Sot, kjo po shndërrohet në një premtim të mbajtur nga Kryetari i Partisë, Prof. Dr. Sali Berisha, i cili ka udhëzuar përgatitjen për përzgjedhjen e kandidatëve përmes procesit të primareve.

Ky është një moment i ri për politikën shqiptare, i cili dëshmon se për ne demokratët, fjala e mbajtur ndaj anëtarëve dhe qytetarëve duhet të jetë parimi i vetëm që na udhëheq në çdo angazhim apo pozicion politik, qoftë brenda partisë, qoftë në përfaqësimin në qeverisjen lokale dhe qendrore.

Ky moment i ri për politikën shqiptare dhe për partinë tonë, përkon gjithashtu me një moment të ri në angazhimin tim politik.

Duke vlerësuar me përgjegjshmëri kontributin tim të deritanishëm për Partinë Demokratike, kam gjykuar se është koha për të hedhur një hap tjetër në këtë rrugëtim dhe për t’u përfshirë si kandidat në procesin e primareve brenda partisë.

Kam bindjen se do të gjej mirëkuptimin e secilit prej jush, miq të sfidave dhe betejave, në këtë hap të ri të angazhimit tim politik. Në bisedat me shumë prej jush, kam ndjerë thirrjen e nevojës për një përfaqësim të ri, me një qasje njerëzore dhe me një përgjegjësi të thellë ndaj anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike. Për mua, pavarësisht pozicioneve, unë mbetem njëri prej jush, dhe e di mirë se çdo detyrë dhe përgjegjësi vjen falë mbështetjes dhe besimit tuaj.

Në këtë angazhim të ri, kërkoj nga ju, motra dhe vëllezër demokratë, jo thjesht mbështetjen tuaj, por mbi të gjitha besimin tuaj. Për mua, ky besim është një përgjegjësi e madhe, një peshë e rëndë mbi supe, të cilës do t’i qëndroj me besnikëri dhe përulësi në çdo kohë.

Në këtë fazë parapërgatitore, përpara se të hapet zyrtarisht procesi i primareve, kam gjykuar se ky vendim duhet ndarë paraprakisht me miqtë dhe kontributorët e Partisë Demokratike.

Miq demokratë,

Shtrij dorën e bashkëpunimit ndaj kujtdo prej jush që dëshiron të kontribuojë në këtë proces, për të arritur së bashku suksesin e një përfaqësimi të ri, i cili bazohet tek vlerësimi dhe mirënjohja për kontributin e çdo anëtari dhe simpatizanti të Partisë Demokratike.

Uroj që ky proces të shërbejë si shembull për çdo parti politike në Shqipëri dhe që në përfundim të tij të arrijmë një përfaqësim dinjitoz dhe fitues për Partinë Demokratike.

Me mirënjohje për secilin prej jush,
Gentian Koçi