Ballina Tech Pr.ligji: Nga viti 2026, bizneset dhe banesat do pajisen me panele diellore

Pr.ligji: Nga viti 2026, bizneset dhe banesat do pajisen me panele diellore

Ndërtesat e reja dhe ato që do të rinovohen, duhet të plotësojnë kërkesat minimale të performancës energjetike të vendosura nga qeveria për zvogëlimin e emetimit të gazeve serrë dhe mbështetjen në energjinë e rinovueshme.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që synon reduktimin e emetimeve të gazeve serrë të shkaktuara nga stoku i ndërtesave në vendin tonë, një hap i rëndësishëm ky drejt arritjes së objektivave klimatike dhe nxitjes së qëndrueshmërisë në sektorin energjetik dhe atë të ndërtimit.

Në projektligj parashikohet vendosja e standardeve për performancën energjetike dhe direktiva që ndihmojnë në uljen e emetimeve të karbonit, duke kontribuar në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.

Përmirësimi i efiçencës energjetike në ndërtesa do të rezultojë në kursime të konsiderueshme energjie, duke ulur kostot për konsumatorët dhe duke zvogëluar varësinë nga burimet fosile.

Në kuadër të kësaj, do të vendosen detyrime të reja ndaj ndërtesave të reja dhe atyre që do të rinovohen në vijim. Ndërtesat e reja duhet të jenë pa emetime nga viti 2028 për ato publike dhe nga viti 2030 për të gjitha ndërtesat.

Prej vitit 2027, ndërtesat në pronësi të autoriteteve publike do të kenë detyrimin e të qenit pa emetime.

Gjithashtu, ndërtesat e reja duhet të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore në bazë të rrezatimit diellor të zonës dhe për të mundësuar instalimin e teknologjive diellore me kosto efektive duke filluar nga viti 2026.