Ndërsa popullsia shqiptare regjistron një rënie me rreth 400 mijë banorë në vitin 2023 në raport me 12 vite më parë dhe ka pasur një lëvizje të theksuar migratore nga fshatrat drejt zonave urbane, apo nga bashkitë e vogla drejt atyre më të mëdha, kjo nuk e ka penguar pushtetin vendor në tërësi që të rrisë numrin e punonjësve.
Referuar raportit të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, gjatë vitit 2023, sipas sistemit informatik financiar të Qeverisë (SIFQ), numri total i punonjësve faktikë për 61 njësitë e qeverisjes vendore rezultoi 36,995 punonjës.
Krahasuar me vitin 2022, evidentohet një rritje me 332 punonjës më shumë, të cilët do ti shërbejnë një popullsie më të vogël në numër.
Nga ana tjetër rritja e numrit të punonjësve, duke shtuar kështu ndjeshëm edhe shpenzimet operative të bashkive, bëhet në një kohë kur shumica e shërbimeve që ofrohen nga njësitë, po shkojnë drejt digjitalizimit.
Sipas raportit, 48 nga 61 bashki të marra në analizë, kanë shtuar numrin e punonjësve krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku spikasin veçanërisht bashkia Kamëz (+201 punonjës), bashkia Tiranë (+127 punonjës) dhe bashkia Lushnjë (+66 punonjës). Nga ana tjetër, vërehen bashki që kanë një trend në zbritje të numrit të punonjësve, ku veçohen bashkia Shkodër (-359 punonjës), bashkia Memaliaj (-131 punonjës) dhe bashkia Vlorë (-25 punonjës).
Në dokument theksohet se efektet pozitive të rritjes së numrit të punonjësve lidhen me stimulimin e rritjes ekonomike, përmirësimin e shërbimeve publike dhe kontributin në zhvillimin e komunitetit.
Megjithatë, rritja e numrit të punonjësve mund të sforcojë buxhetet nëse ato nuk menaxhohen në mënyrë efektive, duke kërkuar planifikim të kujdesshëm për të balancuar përfitimet dhe kostot. Një numër shumë i lartë i të punësuarve në bashki mund të çojë në joefikasitet burokratik, rritje të kostove operacionale dhe sfida në koordinim dhe komunikim. Vendimmarrja mund të bëhet e ngadaltë dhe përgjegjësia mund të dobësohet me një fuqi të madhe punëtore.
Burimi /SCAN TV