Gjykata e Sarandës ka liruar 17- vjeçarin K. Cora, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Cora u arrestua nga policia e Sarandës të enjten, si autor i dyshuar i plagosjes me thikë të 17-vjecarit B. Kalemi, ngjarje e ndodhur në rrugën “Butrinti” të Sarandës.
Kalemi mori 3 thika në stomak dhe ije dhe u transportua drejt Spitalit të Vlorës për mjekim më të specializuar, ndërkohë që Cora u arrestua. Në ngjarje ishte përfshirë edhe një person i tretë, shok i Kalemit, i cili u shoqërua në Komisariat për të dhënë deklarime.
Pas hetimeve, Prokuroria e Sarandës zbuloi se ngjarja kishte rrjedhë tjetër nga sa u raportua në fillim. Dyshohet se Cora ishte tentuar të goditej nga Kalemi dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e kishte plagosur atë me thikë. Për këtë prokurorja Esmeranda Basho ndryshoi akuzën ndaj tij në “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe kërkoi vleftësimin të ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin ndaj të dyshuarit të masës së sigurimit “Arrest në shtëpi”. Edhe Gjyqtarja e hetimeve paraprake Edona Vajushi, vendosi të njëjtën masë sigurimi ndaj Corës, i cili për 7 muaj mbush moshën madhore.
Gjyqtarja Vajushi vendosi që 17-vjecari të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e tij, e ndodhur në lagjen nr. 4, rruga “Guri Nazifi”, Sarandë, me përjashtim të orareve të ndjekjes së proceseve mësimore dhe edukuese, pas miratimit të lejes së lëvizjes nga organi i akuzës.
Ndërkohë ende nuk dihet nëse do të ngrihet akuzë për goditjen e 17-vjeçarit Cora, pasi burime bëjne me dije se edhe nga kqyrja fizike e tij, janë vërejtur shenja sulmi.