Një efektiv i repartit “Shqiponja” është plagosur me armë zjarri pasditen e sotme në Tiranë, ndërsa janë zbuluar detaje rreth ngjarjes së rëndë.
Mësohet se një patrullë e Forcës së Posaçme “Shqiponja ka marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, të cilin më pas e kanë ndjekur.
Sipas njoftimit të policisë personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur efektivi Edlir Alleshi, i cili dyshohet se ka marrë një plumb në pjesën e barkut dhe më pas është dërguar me emergjencë në spital.
Sakaq, në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Në lagjen “Kinostudio”, në rrugën “Hysen Xhura”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” pasi kanë marrë informacion për një person që qarkullonte me armë zjarri, janë vënë në ndjekje të personit të dyshuar.
Gjatë ndjekjes, personi i armatosur ka hapur zjarr në drejtim të Forcave “Shqiponja”, dhe si pasojë është plagosur një prej efektivëve, inspektor E. A., i cili është dërguar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Në ndjekje të personit të armatosur janë venë shërbimet e tjera të Forcave “Shqiponja”, Patrullat e Përgjithshme, dhe Njësitë Speciale Operacionale, janë bllokuar hyrje-daljet e të gjitha rrugëve, dhe vijon kontrolli për kapjen e personit të armatosur.