Ballina Shqiperia ime Peshku në tavolinat shqiptare vjen nga jashtë – 30 mijë ton të...

Peshku në tavolinat shqiptare vjen nga jashtë – 30 mijë ton të importuara në një vit

Pavarësisht zënies së peshkut dhe produkteve të detit nga peshkarexhat shqiptare, në një masë të madhe, konsumi në vend dominohet nga importi. Sidomos në kulmin e turizmit kur ka dhe një kërkesë në rritje për këto produkte.

Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave, tregojnë se në 1 vit, pra nga Qershori 2023-Qershor 2024, në Shqipëri janë importuar 30 mijë ton peshk.

Ndërsa po të krahasojmë muajin Qershor 2023 me Qershor të vitit aktual, duket se në 2024-ën ka pasur një rritje të ndjeshme të importi të peshkut regjistruar në 3847 ton, me një kapërcim prej 742 ton.

Rritja është reflektuar edhe në vlerë ku muaji Qershor 2024, arrin vlerën më të lartë të importit të peshkut, në rreth 1.36 miliardë lekë, apo 14 milionë euro.

Ndërsa në total përgjatë gjithë periudhës Qershor 2023-Qershor 2024, janë importuar në total afro 11.1 miliardë lekë peshk dhe produkte të tjera nënujore.

Nga ana tjetër, duket se peshku i eksportuar për të njëjtën periudhë kap një vlerë më të ulët në raport me importin, të regjistruar në 7.8 miliardë lekë  dhe po ashtu në sasi, regjistruar në 10.348 ton, ku Qershori 2024 regjistron sasinë më të ulët përgjatë gjithë vitit.


Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2023, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 19.338 ton. Duke marrë parasysh zëniet mesatare në një vit, del në pah se shumica shkon për eksport dhe pjesa më e vogël mbetet për konsum vendas. Çka tregon që qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë konsumojnë më së shumti peshk dhe produkte nënujore të ardhura nga jashtë.

SCAN