Policia ka vënë në pranga shtetasit A. Ç., 35 vjeç dhe H. R., 39 vjeç, pasi kishin përshtatur një lokal për shitje të kanabisit.
Lokali është në pronësi të shtetasit H.R., ndërsa A. Ç. siguronte lëndën narkotike. Gjithashtu, po punohet për kapjen e një shtetasi tjetër.
Njoftimi i Policisë:
/Finalizohet operacioni policor i koduar “Furnitori”. Sekuestrohen 6 kg lëndë narkotike cannabis (një pjesë në doza), një sasi farash cannabisi dhe 2 celularë.
Zbulohet një lokal në fshatin Krahës 1, i përshtatur për përdorim dhe shitje të lëndës narkotike cannabis sativa.
Vihen në pranga pronari i lokalit dhe një 35-vjeçar i cili siguronte cannabisin që shitej në këtë ambient.
Punohet për kapjen e një shtetasi tjetër të implikuar në këtë rast.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në kuadër të megaoperacionit kombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, se disa shtetas përdornin dhe shitnin drogë, në një lokal në fshatin Krahës 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Tepelenës, në bashkëpunim me ata të sektorëve Operacional dhe për Hetimin e Narkotikëve të DVP Gjirokastër, finalizuan operacionin policor të koduar “Furnitori”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit A. Ç., 35 vjeç dhe H. R., 39 vjeç, të dy banues në fshatin Krahës 1.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi A. Ç. siguronte lëndën narkotike cannabis sativa, me qëllim përdorimin dhe shitjen në lokalin në pronësi të 39-vjeçarit.
Gjatë kontrolleve në banesën e shtetasit A. Ç., u gjet dhe një sasi farash cannabisi, që posedoheshin me qëllim shitjen.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin u identifikua si bashkëpunëtor në këto veprimtari kriminale, dhe u shpall në kërkim shtetasi Xh. Sh., 39 vjeç, banues në fshatin Krahës 1. Punohet intensivisht për kapjen e tij.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.