Vetëm 1 % e sipërfaqes bujqësore në Shqipëri është me prodhim organik, apo e thënë ndryshe 1 mijë hektarë tokë në total, ndërkohë që potencialet dhe kërkesa konsumatore vendase dhe ajo e huaj janë shumë më të larta. Duke qenë se bujqësia organike është pjesë e Strategjisë së BE-së “Nga ferma në tavolinë” dhe konsiderohet si një sistem i rëndësishëm e i qëndrueshëm bujqësor, me një objektiv që të paktën 25% e tokës bujqësore të BE-së të jetë nën bujqësi organike deri në vitin 2030, politikat qeveritare po i japin një vëmendje të shtuar këtij sektori.
Në kuadër të objektivit “për nxitjen e menaxhimit të qëndrueshëm dhe të efektshëm të burimeve natyrore”, të strategjisë ndërsektoriale të bujqësisë 2021-2027, ndër të tjera përcaktohet si nevojë inkurajimi i bujqësisë organike, për të rritur sipërfaqen organike. Për arritjen e objektivit për rritjen e sipërfaqes organike, në strategji janë përcaktuar ndërhyrjet nëpërmjet: Masave mbështetëse kombëtare dhe nga programi IPARD III, për fermat organike.
Ku vitet e fundit është aplikuar skema kombëtare mbështetëse për fermat në kalim në bujqësi organike në vitin e pare me 750 euro, vitin e dytë dhe të tretë 1200 euro dhe ferma organike 1600 euro, e cila ka ndikuar në rritjen e fermave dhe të sipërfaqes së kultivuar organike.
Dhe po ashtu Në kuadër të Programit IPARD III 2021–2027, po përgatitet akreditimi i masës M4 “agro-mjedis-klimë dhe bujqësia organike”, e cila do të mbështesë disa nënsektorë pilot: · Perime organike – 410 Euro/ha · Ullishte dhe vreshta organike – 843 Euro /ha · BMA organike – 300 Euro /ha.
Nga ana tjetër Ministria e Bujqësisë ka hedhur për konsultim projektligjin e ri “Për prodhimin biologjik, etiketimin e produkteve biologjike dhe kontrollin e tyre”, i cili synon përafrimin me legjislacionin e BE në këtë drejtim dhe adreson përmirësimin e disa problematika të hasura gjatë zbatimit të ligjit ekzistues.
Konkretisht lista e substancave dhe plehrave që do të përdoren për prodhimin organik është harmonizuar tërësisht me atë të BE; do të krijohet dhe mirëmbahet databaza e bujqësisë organike për të gjithë operatorët nën sistemin e certifikimit organik, duke përfshirë edhe importuesit dhe eksportuesit) duke mundësuar informacion të më të gjerë për operatorët organik; Përcaktohet sistemi i kontrollit për prodhimin organik; si dhe janë vendosur për herë të parë shkeljet administrative (gjoba) me qëllim mbrojtjen e përdorimit fiktiv/mashtrues të termave që i referohen metodës së prodhimit organik, në etiketim, reklamë.
Konkretisht përdorimi i treguesve me qëllim mashtrimi, dhe mos regjistrimi i aktivitetit nga operatori ose grup operatori, ndëshkohet nga AKU me gjobë në masën 10 000 deri në 50 000 lekë. Ndërsa ushtrimi i aktivitetit të trupave të kontrollit pa regjistruar ose miratuar aktivitetin ndëshkohet me gjobë në masën 300 000 deri në 500 000 lekë.
SCAN