Kryedemokrati Sali Berisha do të paraqitet këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, pasi Apeli i GJKKO-së vendosi masën detyrim paraqitje për të.
Berisha pritet të paraqitet përpara oficerit të policisë gjyqësore Adelajda Metaj, në orën 10:00.
Ndërkohë, 30 minuta para seancës, PD ka njoftuar një protest jashtë SPAK.
“Të dashur miq! Ditën e Henë në ora 9:30 të mobilizojmë të gjithë strukturat e degëve për të protestuar perpara SKAP- it si vegël në duart e Ramës për të përndjekur kundershtarët politik.
Do jemi aty në mbështetje të së drejtës, të ligjit dhe së vërtetës që është në anën e Kryetarit të PD Prof Dr Sali Berisha”, është ky mesazhi që u është dërguar strukturave të PD.
Ndërkohë zona para SPAK-ut është blinduar nga policia ku forca të shumta të policisë janë vendosur para prokurorisë së posaçme
Tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës.
Berisha u lirua në 27 nëntor 2024 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.
Sali Berisha u mor i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.