Pasi Kuvendi vendosi të mos e çojë mandatin e Olta Xhaçkës për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur të ankohet te ndërkombëtarët.
Me një letër drejtuar Komisionin Europian, Parlamentin Europian dhe Trupin Diplomatik në Tiranë, PD thotë se ky qëndrim i mazhorancës është dhunimi më flagrant, që i është bërë Kushtetutës në 33 vjet demokraci.
“Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhacka, duke i dhënë mbrojtje politike nga drejtësia, është konsideruar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike si dhunimi më flagrant që Kuvendi i ka bërë Kushtetutës në 33 vjet, si dhe një mesazh i qartë i vullnetit politik të mazhorancës socialiste për çimentimin e kulturës së pandëshkueshmërisë, përmes ofrimit të mbrojtjes politike ndaj deputetëve të mazhorancës”, thuhet në letër.
Më tej, në letrën që mban datën e sotme dhe firmën e Gazment Bardhit, thuhet:
“Në çdo vend demokratik zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i detyrueshëm dhe themeli mbi të cilin ngrihet një shtet ligjor. As Kuvendi dhe asnjë institucion publik nuk mund të shpall sovranitetin përkundrejt vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, sepse kjo do të rrënonte parimin kushtetutës të balancës dhe kontrollit mes pushteteve, duke vënë në pikëpyetje vetë ekzistencën e shtetit, sepse do të merrte tiparet e qarta të një puci kushtetutes” , thuhet më tej