Ballina Shqiperia ime Pas 2 vitesh , vihen në punë dy anijet TEC-e në Vlorë

Pas 2 vitesh , vihen në punë dy anijet TEC-e në Vlorë

Pas rreth dy vitesh që mbërritën në Vlorë, dy anijet central elektrik janë ndezur. Tigri 1 dhe Tigri 2 janë vënë në funksion për herë të parë ditën e djeshme ku edhe pse nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar, ndezja e dy anijeve është parë te zhurma dhe tymi që lëshojnë grykat e oxhakëve.

Nuk ka shumë të dhëna mbi vënien në punë të dy anijeve për të cilat shteti paguhet një shumë e konsiderueshme qera çdo ditë.

News24 ka mësuar se pak ditë më parë ka mbërritur në Vlorë një anije me lëndën djegëse të Teceve e cila i ankorua pranë Petroliferës dhe depozituar në një prej depozitave të tyre.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) i paguan çdo ditë 60.000 dollarë qira shoqërisë amerikane Excelerate Energy për dy TEC-et lundruese të ankoruara në Vlorë e që kanë mbërritur vitin e shkuar, por që nuk janë akoma as testuar.

KESH i paguan 30.000 dollarë tjetër në ditë shoqërisë italiane Renco për furnizimin e shërbimit të energjisë elektrike të gjeneruar nga dy TEC-et lundruese të cilët ndezën motorat por nuk ka njoftim për prodhim. Për shkak se asnjë kompani shqiptare nuk plotësonte asnjë kriter, sipas burimeve ka qenë vet shteti që e ka importuar lëndën djegëse.

Edhe për mbërritjen e lëndës djegëse nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar ndërkohë që nuk ka ende asnjë njoftim mbi vendosjen në punë të këtyre mjeteve të kontestuara për shkak të impaktit në mjedis.