Sipas të dhënave më të fundit të Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2024 është parë një rritje e ndjeshme e parasë që qarkullon jashtë bankave. Nga janari deri në dhjetor, ky tregues është rritur me mbi 35 miliardë lekë, duke reflektuar një tendencë shqetësuese për informalitetin dhe ndikimin e tij në ekonominë e vendit.
Në fillim të vitit, sasia e parasë jashtë bankave ishte rreth 388 miliardë lekë, duke mbetur relativisht e qëndrueshme gjatë muajve të parë. Gjatë pranverës, ky tregues shënoi luhatje të vogla, për t’u rritur gradualisht me afrimin e sezonit turistik.
Në muajt e verës, fluksi i lartë i turistëve dhe tendenca për të kryer transaksione me para në dorë çuan në një rritje të ndjeshme të qarkullimit të parasë jashtë bankave. Në qershor, kjo vlerë u afrua në 396 miliardë lekë, ndërsa kulmi i parë i vitit u regjistrua në korrik dhe gusht, kur shifra kaloi për herë të pare vlerën e 400 miliardë lekëve, duke prekur 404 miliardë lekë në gusht.
Pas një rënieje të lehtë në shtator, sasia e parasë jashtë sistemit bankar u rikthye në rritje, duke shënuar nivelin më të lartë të vitit në dhjetor, me rreth 424 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë kjo përfaqëson një rritje prej 7.6%.
Edhe pse pagesat elektronike po fitojnë terren, një pjesë e madhe e popullsisë dhe bizneseve vazhdojnë të mbështeten kryesisht te paraja fizike prandaj në strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027parashikohen masa që synojnë vendosjen e një limiti për pagesat cash mes individëve për të kufizuar transaksionet me vlera të mëdha jashtë sistemit banker si dhe uljen e tavanit që ekziston aktualisht për bizneset që është në vlerën 150 mijë lekëve.