Policia Rrugore njofton se ka arrestuar 44 shoferë mjetesh, për shkelje të ndryshme të rënda.
Sipas Policisë Rrugore, personat që janë arrestuar lëviznin me shpejtësi tepër të lartë, pa patentë ose të dehur në timon.
“Drejtoria e Policisë Rrugore
Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore ka intensifikuar masat që konsistojnë në monitorimin intensiv të lëvizjes së automjeteve, në shtimin e patrullave të lëvizshme, duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë, dragera dhe teleskopë.
Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore dhe qendrat urbane, gjatë një jave:
– Janë pezulluar 149 leje drejtimi për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;
– Janë arrestuar 44 drejtues mjetesh, nga këta 28 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 16 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.
Gjithashtu, në të gjithë vendin janë vendosur 23 259 masa administrative, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara, për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për mospërdorim të rripit të sigurimit, për parakalime të gabuara, për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, për manovra të rrezikshme në rrugë, për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, për parkim të gabuar dhe për shkelje të tjera.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
Me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.