Largimet e bluzave të bardha në Shqipëri nuk ndalen.
“Të dhënat e siguruara nga Urdhri i Mjekut, tregojnë se trendi i largimeve në vitin 2024 ishte i njëjtë me vitet paraardhëse. Konkretisht gjatë vitit që lamë pas 146 mjekë kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë e cila u shërben për punësimet jashtë vendit”
Në 5 vitet e fundit numri i mjekëve të larguar arrin në afro 800. Numri më i madh i bluzave të bardha të cilët kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë, e mban viti 2022, me 191 të tilla.
Fenomeni i largimit të bluzave të bardha i ka krijuar sistemit shëndetësor boshllëqe të shumta, jo vetëm nëpër qendrat shëndetësore të rretheve dhe spitalet rajonalë, por edhe në kryeqytet. Në këtë situatë, shumë shpejt popullsia shqiptare pritet të përballet me mungesën e mjekëve të familjes dhe atyre të urgjencave, degë të cilat nuk preferohen nga mjekët e rinj.
Mungesa e profesionistëve në shëndetësi është një fenomen nga i cili po vuan e gjithë Europa.
Sipas të dhënave europiane, që prej vitit 2022 e në vijim, BE po përballet me një mungesë të fuqisë punëtore në shëndetësi që arrin në 1.2 milionë mjekë, infermierë dhe mami, të cilat vendet e unionit po përpiqen t’i plotësojnë me fuqi punëtore nga jashtë.
Kjo mungesë rrjedh nga faktorë të shumtë, si plakja e popullsisë, që prek si pacientët ashtu edhe vetë fuqinë punëtore shëndetësore, e kombinuar me kushtet e vështira të punës dhe vështirësitë e mbajtjes së bluzave të bardha, sfida që u intensifikuan më tej nga pandemia e Covid-19.