Qeveria do të vijojë luftën ndaj informalitetit edhe përgjatë vitit 2024, duke vënë në shënjestër disa nga segmentet më problematike.
Referuar programit të reformave ekonomike 2024-2026, një nga synimet kryesore, është hetimi i pasurisë së pajustifikuar.
Trajtimi i individëve të pasur nuk është lënë jashtë vëmendjes nga Administrata Tatimore, ku krahas hartimit të planit të përputhshmërisë për vitin 2023, kanë nisur edhe analizat dhe kontrollet me informacione të bazuara në risk në bashkëpunim me palët e treta.
DPT po ndërmerr një projekt pilot me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë për të krahasuar individët që zotërojnë makina luksoze me deklarimin e tyre të të ardhurave personale, (DIVA) si fazë e parë e këtij projekti dhe në të ardhmen për të zgjeruar shkëmbimin e informacionit lidhur me asetet e tjera të tatimpaguesit.
Sipas dokumentit, do të konsiderohen edhe individët subjekt sanksionesh në përputhje me marrëveshjet që vendi ynë ka me organizatat ndërkombëtare.
Qëllim tjetër zvogëlimi i hendekut të përmbushjes në lidhje me TVSH-në. Komiteti i Riskut është krijuar për zbatimin e kësaj mase me efikasitet duke ekzaminuar në baza mujore fenomene të caktuara të rrezikut dhe duke identifikuar tatimpaguesit më të rrezikshëm përmes ndërthurjes së informacioneve dhe analizave të ndryshme. Fokusi i administratës tatimore do të mbetet te të ardhurat nga TVSH-ja, duke i dhënë prioritet sektorëve kyç si turizmi, si dhe rritja e regjistrimit për TVSH-në.
Nga ana tjetër vëmendje e shtuar do ti jepet reduktimit të punës së padeklaruar, nëndeklarimit dhe uljës së pagesave me para në dorë në ekonomi. Sipas dokumentit, administrata tatimore ka patur në fokus të saj informalitetin në tregun e punes përmes katër formave: mosregjistrimi i punonjësve, mosdeklarimi i saktë i pagave, mosdeklarimi i saktë i kohes së punës, mosdeklarimi i saktë i kategorise së punesimit dhe profesionit.
Reduktimi i evazionit tatimor është një tjetër fokus i administratës tatimore. Referuar dokumentit, strukturat e terrenit janë angazhuar për verifikimin dhe identifikimin e tatimpaguesve në zbatim të Planeve Operacionale që miratohen nga Komiteti Operacional dhe Komiteti i Riskut në DPT. Objektivi kryesor i punës së tyre është parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe luftimi i paligjshmërisë në fushën e tatimeve dhe marrja e masave administrative përkatëse ndaj shkeljeve tatimore. Për vitin 2022, janë marrë 917 masa administrative për tatimpaguesit me shkelje të legjislacionit tatimor. Vlera e shkeljeve të konstatuara llogaritet 466 000 mijë euro. Sa i përket hetimit tatimor do të fokusohet në subjektet e përpunimit aktiv që përpiqen të shmangin pagesën e kontributeve shoqërore dhe subjektet që përdorin skema mashtrimi TVSH-je.
SCAN