Ballina Shqiperia ime Nis shtrenjtimi i cigareve, qeveria parashikon skemë të re taksimi për mallrat...

Nis shtrenjtimi i cigareve, qeveria parashikon skemë të re taksimi për mallrat e akcizës

Cigaret do të kushtojnë më shtrenjtë për duhanpirësit për gjatë këtij viti. Bazuar në kalendarin e akcizës të miratuar nga Ministria e Financave, edhe këtë fillim vit ka nisur të reflektohet rritja e çmimit të paketave në dyqanet e pakicës për disa marka dhe të tjerat pritet ti rrisin në vijim. Deri më tani rritja është mesatarisht 10 lekë për paketë.

Njoftimi për vendosjen e çmimeve maksimale të shitjes është bërë edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve nga disa kompani, për shkak të detyrimit që rrjedh nga ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Aktualisht paketa më e shtrenjtë në treg shitet me çmimin maksimal 500 lekë.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Financave, importi i cigares ka një rënie në 11 mujor në raport me  të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u regjistruar një sasi prej 2844 ton të importuara përgjatë Janar-Nëntor, nga 2924 ton që regjistron e njëjta periudhë e një viti më parë,  por ka një rritje të lehtë përgjatë muajt Nëntor në krahasim me Nëntorin 2023, muaj në të cilin u importuan 274 ton cigare.

Për duhanin aplikohet një kalendar i caktuar për rritjen progresive të akcizës deri në vitin 2026 që parashikon rritje mesatarisht 250 lekë për kg çdo vit, duke arritur çmimin prej 7500 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2025 dhe  7750 lekë/1000 fije duke filluar nga 1 janari 2026.  Synimi është dekurajomi i duhanpirjes.

Nga ana tjetër qeveria parashikon të rrisë edhe më tej taksën e akcizës për produktet e duhanit. Referuar strategjisë afatmesme të të ardhurave 2024-2027,  në vendin tonë për disa mallra të akcizueshme sikurse janë duhanet, nuk aplikohet skema e kombinuar e taksimit që përfshin edhe një tarifë specifike akcize për njësi produkti, por edhe një tarifë me përqindje akcize mbi çmimin e shitjes së produktit. 

Kjo skemë e kombinuar aplikohet në disa vende. Për këtë arsye, strategjia parashikon që më vitet në vijim, pas përfundimit të kalendarit të rritjes së akcizës 2022-2026, do dizenjohet kalendari i ri i cili do marrë në konsideratë skemën e taksimit që kombinon sistemin me kuotë fikse me atë të vlerës.

Direktiva e BE-së parashikon që niveli i akcizës duhet të jetë jo më i ulët se 90 Euro/1000 fije.

Të ardhurat në buxhet nga akciza e duhanit, listohen si zëri i dytë me peshën më të madhe në të ardhurat totale doganore, pas karburanteve