Pas muajve të tërë me rritje dyshifrore, turizmi në muajin korrik u rrit me vetëm 2.7 për qind duke dhënë shenja të qarta ngadalësimi dhe duke konfirmuar situatën që tur-operatorët dhe strukturat akomoduese raportonin në pjesën e parë të këtij muaji.
Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti i Statistikave mbi lëvizjen e shtetasve tregojnë se në korrik hynë 1.81 milionë të huaj duke çuar totalin e hyrjeve të këtij grupi në 7 muajt e parë të vitit në 6.36 milionë me një rritje 23.2% në raport me 7 mujorin e një viti më parë.
“Gjatë muajit Korrik 2024, rezultojnë të kenë hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë 2.624.207 shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Ky tregues ka pësuar një rritje me 2,7 %, krahasuar me Korrik 2023. 2.350.448 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 10,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Hyrjet e shtetasve
Në Korrik 2024, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 805.829, duke pësuar një rritje me 2,8 %, krahasuar me Korrik 2023.
Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.818.378. Ky numër është rritur me 2,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023” thuhet në publikimin e INSTAT.
Në fund të qershorit dhe në pjesën e parë të korrikut strukturat akomoduese në bregdet dhanë shenja të qarta pesimizmi për rezervimet të cilat ishin më të ulëta se pritshmëritë teksa efekti zinxhir që dha rritja e çmimeve në disa rajone shkaktoi anulime masive kryesisht të italianëve.
Po kështu strukturat kanë konfirmuar një prezencë më të ulët të shtetasve të Kosovës në zonën e Golemit por edhe në Jug të vendit dhe disi më e pranishme në Shëngjin dhe Velipojë dy tregje me çmime më ekonomike dhe te frekuentuara tradicionalisht prej tyre.
Ecuri më e mirë e turizmit sipas tur-operatorëve nisi të regjistrohej në pjesën e dytë te korrikut teksa korrigjimi i çmimeve në një pjesë të strukturave dhe bregdetit ndikoi pozitivisht gushtin i cili ka pasur një prezencë relativisht më të mirë turistike sesa korriku sipas turoperatorëve.
Sipas tyre këtë ngadalësim të sezonit veror pritet ta kompensojë vjeshta e cila gjithashtu duket se do të ketë ecuri më të mirë se viti i shkuar si efekt i rezervimeve paraprake.
“Në Korrik 2024, 95 % e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 71 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Qëndrore/Lindore me 10 %
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 99 % të rasteve është për qëllime personale, ku dominojnë hyrjet për Pushime, vizitë tek të afërm, etj.
Në Korrik 2024, ky tregues ka shënuar një rritje me 3,7 %, krahasuar me Korrik 2023. Rritje të ndjeshme në muajin Korrik kanë patur edhe hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime Biznesi dhe profesionale, me 50,9 %” vlerëson INSTAT.
Daljet e shtetasve
“Në muajin Korrik 2024, 704.699 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 1,7 %, krahasuar me Korrik 2023.
Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Korrik 2024 janë 1.645.749. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues është rritur me 14,3 %” nënvizon publikimi.