Drejtoresha në detyrë Aurora Polo (Daja), refuzoi të merrte në dorëzim raportin e KLSH, ndërsa kryetari Leka Bungo, nuk firmosi vendimin e Këshillit Drejtues, për zbatimin e rekomandimeve të auditimit që hajdutët të rikthejnë në llogarinë e RTSH milionat e vjedhura, sepse edhe dhe këta të dy kanë zhvatur miliona…
Buxheti vjetor i RTSH është 22 milionë Euro, me këto burime financiare: 6 milionë Euro fond nga shteti, 15 milionë Euro nga taksa e aparateve televizivë dhe 1 milionë Euro të ardhuara nga tarifat e antenave, shitjet e të drejtave televizive, reklamat e kontrata të tjera.
Por sipas raportit të KLSH në dhjetor 2024, sipas auditeve të brendshme në RTSH dhe auditeve të Ministrisë së Financave për përdorimin e taksës së televizorit dhe fondin 6 milionë Euro që i jep shteti, rezulton se në 3 vitet e fundit, banda drejtuese e RTSH ka vjedhur 15 milionë Euro.
Ja disa nga provat e batërdisë që ka zbuluar KLSH në financat e RTSH:
– Për blerjen e shërbimit të mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVBT2 nga RTSH, është bërë tender fiktiv e letra false me vlerë 7.3 milionë Euro, për afatin e shërbimit 4 vite.
Por kompania austriake që është shpallur fituese, nuk ka firmosur kontratën, ndërsa urdhër transfertat, fatura elektronike dhe gjoja realizimi i këtij shërbimi, janë bërë çdo muaj me raporte false sikur i ka firmosur kompania, kur nuk ka patur dijeni për veprimet e financiare e teknike.
– Tenderi për blerjen e shërbimit të platformës OTT, me vlerë 851 mijë Euro dhe tenderi tjetër parlalelisht e me të njëjtin objekt shërbimi në vlerë 1.1 milionë Euro; për të cilat, sipas raportit të KLSH, nuk kanë asnjë indikator vlerësues të përdorimit e dobishmërisë së investimit dhe janë bërë në shkelje të Ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”.
– Tenderi fiktiv, për marrje me qira studio televizive lëvizëse transmetuese, me 24 mijë Euro për 4 netët e festivalit në RTSH, kur RTSH ka 2 studio televizive levizëse, të blera 931 mijë Euro.
– Vjedhje 580 mijë Euro, nëpërmjet një tenderi fiktiv me letra false, për gjoja blerje video wall, televizor e pajisje ndriçimi për studiot e RTSH.
-Vjedhje 450 mijë Euro, me tenderin fiktiv me letra false, për gjoja blerje shërbimi për transmetimet e sinjalit TV e Radio me Fibër Optike; kur paralelisht është një kontratë me të njëjtin objekt blerje, me kompani tjetër në vlerë 400 mijë Euro mbivendosje.
Pagesë për punë të pa kryera e të kryera përgjysmë: 12 mijë Euro për bashkë-prodhimin filmik “Violinisti”; 30 mijë Euro për filmin “Love”; 24 mijë Euro për “Ujëvara e dritës”; 45 mijë Euro për “Koha dhe Artisti”; 24 mijë Euro për “Luanët drejt Venecias”; 29 mijë Euro për “Edhe një ditë”; 24 mijë Euro për “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”.
– Për 27 emisione televizie, RTSH ka paguar 91 punonjës të saj me nga 3 milionë lekë honorare mbi pagat mujore, ndërsa në vitet 2021-2024, deklaron se u ka dhënë një grupi gazetarësh, shoferësh e teknikësh, 413 pagesa për dieta e udhëtime fiktive në vlerë totale 826 mijë Euro, shumica dorazi, të pa firmosura nga marrësit e me mandat-pagesa pa emrat e tyre.
Sipas të dhënave, në RTSH janë vjedhur 15 milionë Euro me tenderë fiktivë e letra false, për të cilat SPAK ka raportin e KLSH-së, ku janë provat dhe emrat e hajdutëve, si dhe prangat për ta.
Edhe një fakt: Drejtoresha në detyrë Aurora Polo (Daja), refuzoi të merrte në dorëzim raportin e KLSH, ndërsa kryetari Leka Bungo, nuk firmosi vendimin e Këshillit Drejtues, për zbatimin e rekomandimeve të KLSH, që hajdutët të rikthejnë në llogarinë e RTSH milionat e vjedhura, sepse edhe këta të dy kanë zhvatur miliona.
/Pamfleti