Ballina Shqiperia ime Nd*tja nga hidrokarburet në Patos- Marinzë-Avokati i Popullit kërkon hetime

Nd*tja nga hidrokarburet në Patos- Marinzë-Avokati i Popullit kërkon hetime

Puset e naftës së shoqërisë shtetërore “Albetrol” në zonën e Patos-Marinzës në Fier, prej vitesh përbëjnë një rrezik serioz për shkatërrimin e mjedisit, tokës bujqësore dhe ujërave, si dhe shëndetin e banorëve të zonës, ndërsa autoritetet shtetërore dështuan në marrjen e masave dhe toleruan paligjshmërinë dhe ndotjen – thekson raporti i një hetimi 2-vjeçar të kryer nga Avokati i Popullit.

Dokumenti me titull “Rekomandim për marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit nga ndotja e hidrokarbureve në zonën e Patos Marinëz dhe qytetet përreth” i Avokatit të Popullit i drejtohet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Agjencisë Rajonale të Mjedisit, Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Prokurorisë së Fierit dhe bashkive të këtij qarku.

Avokati i Popullit sugjeron gjithashtu nisjen e një hetimi penal për përgjegjësit e ndotjes si dhe ndërhyrje urgjente për mbrojtjen mjedisore.

Dokumenti që BIRN e disponon e përshkruan situatën e ndotjes në nivele alarmante dhe drejt përkeqësimit, duke rrezikuar shëndetin e njerëzve, ndërsa fajëson autoritetet përgjegjëse për monitorimin e aktivitetetit të kësaj shoqërie për mosmarrjen e masave ligjore dhe tolerimin e paligjshmërisë për një kohë të gjatë.

Avokati i Popullit analizon një sërë dokumentesh nga inspektimet e kryera pranë shoqërisë “Albpetrol” dhe korrespodencën e autoriteteve shtetërore, qendrore dhe vendore, që nga vitit 2022.

“…konstatohet se situata e ndotjes ka arritur në nivele alarmante, duke u kthyer në një shqetësim jetik për banorët,” thuhet në raport. “Avokati i Popullit vëren, se njësitë e qeverisjes vendore në bashkëpunim me autoritetet qendrore përgjegjëse për fushën e mjedisit, kanë dështuar në menaxhimin e situatës…”- vijon ai.

Sipas konstatimeve të raportit, masat e marra ndër vite, kryesisht gjoba, kanë qenë të pamjaftueshme dhe joproporcionale me paligjshmërinë dhe ndotjen e shkaktuar nga shkarkimi i ujërave të ndotur me hidrokarbure.

Në këto kushte, Avokati i Popullit rekomandon “nisjen e një hetimi të menjëhershëm mbi përgjegjësitë individuale dhe institucionale të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal. Hetimi duhet të mbështetet në evidentimet për shkelje të detyrimeve institucionale dhe raste të neglizhencës që kanë shkaktuar dëm për interesin publik”.

Më tej raporti u kërkon Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Infrastrukturës dhe Energjisë që të marrin masa urgjente “për realizimin e ndërhyrjes për rehabilitimin mjedisor të fushës naftëmbajtëse Patos-Marinzë”,  pezullim të lejes mjedisore të Albetrolit, vënien para përgjegjësisë së kësaj kompanie për rehabilitimin e plotë të zonave si dhe ndërprerjen e shkarkimeve të pakontrolluara të ujërave të ndotur me hidrokarbure.

/Reporter.al/