Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur platformës TikTok, për mbylljen e saj në Shqipëri.Përmes një postimi në rrjetin e tij social X, Rama shkruan se ndalimi i kësaj platforme në Shqipëri, për të paktën 1 vit nuk është një reagim i nxituar, por një vendim i këshilluar me komunitetet e prindërve në shkollave në të gjithë vendin.
Ndër të tjera, kreu i qeverisë thekson se “TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të platformës”.
Reagimi i plotë:
Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë.
TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut. Ndërsa Shqipëria është shumë e vogël për t’i kërkuar TikTokut të mbrojë fëmijët dhe rininë nga humnerat e frikshme të algoritmit të tij, por uron që TikToku ta bëjë këtë për të mirën e të gjithë njerëzimit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Të thuash se vrasja e nxënësit adoleshent s’ka lidhje me TikTokun, sepse konflikti nuk qenka gjeneruar nga Tik Toku do të thotë të mos kesh kuptuar as seriozitetin e kërcënimit që ajo plaftormë ka sjellë për fëmijët dhe rininë e kësaj kohe, as fillin e arsyetimit të vendimit tonë për të marrë përgjegjësinë e reagimit ndaj atij kërcënimi.
Fortlumturisht Shqipëria është një vend demokratik, ku kur mbi 90% e prindërve kërkojnë ndalimin e TikTokut dhe kur shumica dërmuese beson se shëndeti i fëmijëve tanë nuk mund t’i shërbejë platformës, po platforma duhet t’i shërbejë shëndetit të fëmijëve tanë, atëherë vendimi ynë nuk ka se si të jetë më i qartë:
Ose vetë TikToku duhet t’i mbrojë fëmijët e Shqipërisë ose Shqipëria do t’i mbrojë fëmijët e vet nga TikToku