Çmimet e naftës mund të zbresin në rreth 60 dollarë për fuçi deri në vitin 2025. Janë këto vlerësimet që kanë bërë analistet dhe ekipi I kërkimit të mallrave të Bankës së Amerikës duke nënvizuar një teprice të konsiderueshme të tregut si shtytësin kryesor.
Një ditë më parë Organizata e Vendeve Eksportuese e Naftës OPEC dhe aleatët e saj vendosin të zgjasin shkurtimet e prodhimit në 2.2 milionë fuçi të paktën deri në nëntor. Kjo nuk është hera e parë që OPEC zgjat shkurtimet e prodhimit në një përpjekje për të mbështetur rritjen e çmimeve të naftës së papërpunuar.
Çmimet e naftës kanë rënë këtë vit pavarësisht uljeve të vazhdueshme të prodhimit dhe tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Shqetësimet rreth rënies së kërkesës në Kinë, importuesja më e madhe në botë e naftës, kanë ndihmuar në mbajtjen e çmimeve të ulëta.
Pikërisht, nisur nga këto faktorë ekspertët e kërkimit të mallrave të Bankës së Amerikës thonë se suficiti i lartë në tregun e karburanteve mund t’i shtyjë çmimet e naftës edhe më të ulëta pranë 60 dollarëve deri në vitin 2025.
Së fundmi, ata kanë rishikuar edhe vlerësimin për çmimin e naftës brent në 75 dollarë për fuçi në pjesën e mbetur të vitit. Ekipi nënvizon se rritja e dobët e kërkesës, e kombinuar me kapacitetin e rezervës rekord të OPEC që tejkalon 5 milionë fuçi në ditë ka zbehur perspektivën për çmimet e naftës.