Banorët e fshatit Povelçë kanë dalë për të protestuar për të disatën herë, duke shprehur shqetësimin e tyre për mungesën e ujit të pijshëm në banesat e tyre. Ky problem është i pranishëm prej vitesh në fshat, por situata është përkeqësuar ndjeshëm gjatë katër muajve të fundit, ku furnizimi me ujë është reduktuar në vetëm një orë në 24 orë. Sipas banorëve, tubacioni që furnizon fshatin është dëmtuar për shkak të ndërhyrjeve të bëra nga biznese që merren me bujqësinë dhe ato që shfrytëzojnë energjinë diellore përmes paneleve fotovoltaike.
“Uji është i pranishëm vetëm një orë në ditë. Mungesa e ujit është aq e madhe sa na detyron të përdorim ujë nga kanalet për të larë rrobat dhe për nevojat higjienike,” shprehen banorët e Povelçës.
Përveç kësaj, banorët theksojnë se, edhe pse paguajnë taksat rregullisht, nuk marrin shërbimet e duhura. Ata detyrohen të lahen në kanale apo në det, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër.
Megjithëse kanë bërë ankesa dhe kanë protestuar disa herë, nuk u është ofruar asnjë zgjidhje nga njësia administrative apo UK Fier. Sipas burimeve zyrtare nga UK Fier, ekziston vetëm një pus uji që furnizon tetë fshatra të zonës, gjë që shpjegon furnizimin e kufizuar me ujë.