Ballina Shqiperia ime Moti i keq – Të dielën pezullohen lundrimet në det

Moti i keq – Të dielën pezullohen lundrimet në det

Përkeqësimi i kushteve meteorologjike ka bërë që Drejtoria e Përgjithshme detare të pezullojë lundrimin në det të trageteve dhe mjeteve të tjera detare në Durrës e Vlorë.

Përmes një njoftimi të posaçëm, bëhet e ditur se anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjerë dhe automjete në linjën Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindisi-Vlorë, ditën e shtunë do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Ditën e diel do të ndalohet  lëvizja e anijeve pasagjerë në linjat ndërkombëtare Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindisi-Vlorë.

Lidhur me mjetet e vogla lundruese apo anijet e peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit shqiptar, autoritetet thonë se duhet të jenë të siguruara në vendet e caktuara, ndërsa nuk do të jepet leje nisje për tri ditë me radhë.

Këto masa autoritetet thonë se janë marrë për të parandaluar çdo situatë të papritur për shkak të kushteve atmosferike, ndaj dhe kërkohet bashkëpunimi i të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.