Në një operacion të zhvilluar më 26 mars, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka sekuestruar 500 kg mish të dyshimtë, pas kontrolleve në dy ‘fast food’-e, tri supermarkete dhe një restorant. Sipas konstatimeve, mishi i sekuestruar rezulton të jetë mish pule me prani salmonelë.
Kontrolli u zhvillua në disa subjekte që ishin sugjeruar nga Qendra e AKU-së, ku 6 raste pozitive u identifikuan, përfshirë ‘fast food’-e të vendosur pranë shkollave dhe restorante që ofrojnë mishin e pulës si fileto.
AKU Vlorë ka njoftuar se janë marrë mostra për analizë nga subjekte të tjera dhe priten përgjigjet për to. Ky kontroll erdhi pas informacionit nga Tirana që tregonte se ku ishte shpërndarë furnizimi me mishin e infektuar.
Për sa i përket situatës në fabrikat e sallamit, AKU deklaron se nuk ka informacion se këto fabrika janë furnizuar me mish nga kompania e identifikuar me salmonelë.