Ballina Bota Mediat Britanike:Prishja e pazareve të drogës në Angli përgjak rrugët në Shqipëri...

Mediat Britanike:Prishja e pazareve të drogës në Angli përgjak rrugët në Shqipëri Ja pse kartelet nga vendi ballkanik janë kaq të pamëshirshëm

Përplasja mes bandave shqiptare ka qenë në qendër të një artikulli të medias britanike The Sun.

Në një intervistë me një prokuror shqiptar, media britanike konkludon se ato që nisin në Britani si konflikte për pazare droge dhe si përpjekje për të kontrolluar tregun e shitjes së lëndëve narkotike, përfundon në Shqipëri me vrasje dhe ekzekutime.

Kryeprokurori Kreshnik Ajazi e ka lidhur vazhdën e vrasjeve me hakmarrjen, një tipar i vendit tonë.

The Sun shkruan se fakti që prokurori ia ka kushtuar jetën luftës ndaj krimit, ka ardhur edhe me një kosto. Ai është gjithë kohës i ruajtur me truproja dhe 28 kamera sigurie janë vendosur në pjesën e jashtme të ndërtesës së zyrës së tij në qytetin e Elbasanit.

“Mosmarrëveshjet mes bandave krijohen në Angli, por hakmarrja ndodh në qytetin tonë. Kur u bëra kryeprokuror, qëllimi im ishte të sfidoja bandat. Kjo do të thotë se unë tani shoqërohem në çdo minutë të jetës sime nga një eskortë speciale nga policia e shtetit, e cila tregon se në çfarë lloj rreziku jam. Por ia ka vlejtur”, tha ai.

Ndërkohë autoritetet britanike dhe ato shqiptare punojnë ngushtë për të luftuar bandat dhe krimin e organizuar.

Agjencia Kombëtare e Krimit muajin e kaluar nënshkroi një marrëveshje me policinë shqiptare për të sfiduar kriminelët që kontrollojnë tregun e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar.

Rreth 1.700 anëtarë të bandave mendohet se janë të lirë në Britaninë e Madhe dhe ka më shumë shqiptarë në burgjet britanike se çdo kombësi tjetër e huaj, edhe pse Shqipëria ka një popullsi prej vetëm 2.8 milionë banorësh.

Përveç përpjekjes për të arrestuar drejtuesit e bandave, policia po i godet aty ku dhemb, në xhepat e tyre.

Një Lamborghini e regjistruar në Britani me një vlerë prej 200.000 £ u sekuestrua së fundi nga një kriminel i dyshuar, së bashku me një hotel që ai zotëronte. Automjeti tashmë do të përdoret nga forcat e policisë.

“Pavarësisht luftës që bëhet nga të dy shtetet për të luftuar krimin, problemi është se në Shqipëri hakmarrja është traditë, ndaj nuk mund të parashikojmë se çfarë do të ndodhë”, thotë Ajazi.

Bandat e krimit të organizuar janë të ngjashme me mafian, sa i përket mënyrës së strukturimit dhe fatit që gjithçka lidhet me familjen. Ndaj mosmarrëveshjet merren personale dhe kështu edhe zgjidhja e tyre.

Në vitin 2018, një dërgesë prej 50 kilogramësh kokainë, me një vlerë potenciale tregu prej dhjetëra miliona paund, u zhduk në Angli.
Banda që priste dorëzimin e saj dyshoi për korrierin, kështu që e rrahën dhe e hodhën në një vend të largët, duke llogaritur se kushdo që ai kishte lajmëruar për të vjedhur drogën do t’i vinte në ndihmë.

Ata ruanin për të parë se kush do ta merrte – dhe pasi e mësuan se cila familje qëndronte pas vjedhjes, filluan vrasjet.
Menjëherë pas kësaj, Endrit Alibej, 34 vjeç, po largohej me makinë nga një darkë familjare në Elbasan me dajën e tij Arben Dylgjeri, 56 vjeç dhe një bashkëpunëtor turk.

Ndërsa ata ngadalësuan tenjë rrethrrotullim, një person i armatosur me një AK-47 goditi automjetin dhe duke vrarë të tre personat që ndodheshin në të.
Familja e Alibej nuk humbi kohë për t’u hakmarrë dhe vrasjet vazhduan për dy vite, duke marrë gjithsej tetë jetë.

Z. Ajazi tha se sulmet e ndërsjellta në lidhje me atë mosmarrëveshje të veçantë kanë përfunduar – tani për tani.

Një rast tjetër është ai kur në vitin 2013, tregtari shqiptar i drogës Arben Lleshi, 27 vjeç, u burgos me burgim të përjetshëm në Winchester Crown Court për vrasjen e një rivali në Southampton dhe djegien e trupit të tij.

Ai u ekstradua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit.
Në fund të vitit të kaluar, banda e viktimës së tij filloi të planifikonte hakmarrjen.

Ata shpenzuan rreth një milion euro për t’i dhënë ryshfet zyrtarëve të burgut për të futur armë në burg dhe për të paguar një vrasës me pagesë.

Arma iu dorëzua vrasësit në mes të nëntorit dhe ai e mbajti të fshehur për tre javë para se të shkonte në qelinë e Lleshit dhjetë ditë para Krishtlindjeve.

“Ai e ftoi atë njeri për të folur. Ai tha: ‘A mund të bëjmë një bisedë?’. Dhe në këtë moment, ai nxori armën dhe e qëlloi dhe e vrau”, sqaron prokurori.

E gjithë struktura komanduese e burgut është arrestuar, 12 oficerë gjithsej, me dyshimin për marrje ryshfeti.