Një tjetër automjet ka përfunduar sot në ujërat e Kanalit të Butrintit, duke shënuar rastin e dytë brenda 8 ditësh. Ngjarja është shënuar rreth orës 05.00, kur një automjet i marrë me qera që vinte nga kufiri, ka humbur kontrollin dhe ka përfunduar në Kanalin e Butrintit në afërsi të fshatit Vrinë.
Nga burime paraprake bëhet me dije se kanë qenë dy persona brenda në mjet, të cilët kanë mundur të dalin me not pa dëmtime. Policia e Sarandës është ndodhur menjëherë në vendin e ngjarjes ku ka nisur hetimet. Sipas policisë mjeti që ka rënë ka qenë tip “Fiat” me targa AA 459 RL me drejtues shtetasin e huaj Patryk Sajnog.
Ai i është nënshtruar testit të alkoolit ku herën e parë ka rezultuar në masën 0.906 mg/l dhe më pas 0.894 mg/l. Gjithashtu ai rezulton pa leje drejtimi. Për këtë arsye është arrestuar nga policia. Disa orë më pas automjeti është nxjerre me vinç nga uji.