Ballina Shqiperia ime Lehtësim për të dënuarit ne burgje, PS depoziton projektligjin

Lehtësim për të dënuarit ne burgje, PS depoziton projektligjin

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, socialisti Nasip Naço ka propozuar në kuvend, projektligjin që i lehtëson kushtet e izolimit të dënuarve që i kanë mbetur 2 vite e 6 muaj burg.

Kjo vlen vetëm për të dënuarit e sigurisë së ulët ndërsa kusht është sigurimi i një kontrate pune në institucion ose me vendim të Komisionit të Vlerësimit të rrezikshmërisë.

Në Kuvend është depozituar një projektligj nga mazhoranca që lehtëson kushtet e izolimit të të burgosurve.


Me firmën e kryetarit të komisionit të sigurisë Nasip Naço, në  dokument kërkohet që sektori ku një i burgosur me rrezik të ulët, po kryen dënimin të hapet kur i kanë mbetur 2 vite e 6 muaj izolim por me kusht.

Së pari ata duhet të kenë siguruar një kontratë të rregullt pune në institucion.Një tjetër pikë ku një i burgosur mund të kryejë dënimin pa rrethim sigurie është në momentin kur komisioni i vlerësimit vendos se ai nuk përbën rrezik për shoqërinë.

Në ligjin aktual, neni 20 parashikonte hapjen e institucionit për ata të burgosur që i kanë mbetur 6 muaj heqje lirie ose në rastet kur vendos komisioni i vlerësimit.

Në shkresë mazhoranca argumenton dhe ndryshimin që kërkojnë. Pretendojnë se këto hapa mund të ndihmojnë të dënuarit që të integrohen më lehtë në shoqëri pas burgimit.

PS gjithashtu shprehet se mund të ndihmojnë gjithashtu përmirësimin e menaxhimit të burimeve njerëzore apo edhe ul kostot e sistemit të burgjeve.

Projektligji thekson se këto propozime kanë ardhur pas konsultimeve me institucionet përkatëse dhe shoqërinë civile si dhe janë bazuar në sistemet e burgjeve të vendeve të BE dhe rajonit, duke marrë shembull Malin e Zi që operojnë në të njëjtën mënyre.