Gjatë një seance që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, Kuvendi ka miratuar të gjitha pikat e rendit të ditës.
Kuvendi miratoi ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Bonusi do të shpërndahet për pensionistët në muajin shkurt.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe shtyrjen e afatit të aplikimit për statusin e Investitorit Strategjik. Sipas ndryshimeve, aplikuesit kanë afat deri në dhjetor 2026.
Gjithashtu, Kuvendi votoi pro letërnjoftimit digjital, duke vijuar kështu politikat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të strategjisë së digjitalizimit. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, nga foltorja e Kuvendit, duke prezantuar risitë e letërnjoftimit digjital, tha se ai do të ketë një rol kyç në luftën ndaj krimit të organizuar, por edhe ndaj mashtrimeve kibernetike.
Është miratuar edhe ndryshimi ligjor i kërkuar nga deputeti Blendi Klosi, i cili parashikon lehtësimin nga taksat për brendet në fushën e turizmit për një periudhë 10-vjeçare. Ky ndryshim ligjor parashikon që afatet e tij të jenë në fuqi deri në fund të vitit 2026.
Kuvendi miratoi gjithashtu marrëveshjen me Bankën Europiane për Zhvillim për financimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas.
Gjithashtu, u miratua edhe aderimi i Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar (UPU). Kjo nismë afron Shqipërinë me standardet ndërkombëtare në fushën e shërbimit postar.
Drita jeshile u hap edhe për ndryshimet ligjore në menaxhimin e mbetjeve, duke e përafruar legjislacionin shqiptar me atë të BE-së.
– Votimi sipas rendit të ditës:
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”. Kjo nisëm u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar, Abidjan 2021, përfshirë ndryshimet e miratuara në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Addis Ababa 2018, dhe në Kongresin e Jashtëzakonshëm, Gjenevë 2019, të Bashkimit të Përbotshëm Postar”. Ky propozim u votua me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Miratohet Akti Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2024. Akti normativ votua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Një tjetër projektligj që do të diskutohet është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu””. Kjo marrëveshje u miratua me 74 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë. Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji; “Për njohjen e periudhave të punësimit në institucionet shtetërore, në ish-ndërmarrjet shtetërore, në ish-ndërmarrjet bujqësore dhe në ish-kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sistemin e sigurimeve shoqërore”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 73 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.
Projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 68 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.
Projektligji “Për ratifikimin e vendimit nr.2/2024 të Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-EuroMediteriane të 12 dhjetorit 2024, për ndryshimin e vendimit nr.1/2023 të Komitetit të Përbashkët, miratuar me ligjin nr.59/2024, me qëllim përfshirjen e dispozitave kalimtare në ndryshimet e Konventës Rajonale për Rregullat Preferenciale të Origjinës Pan-Euro-Mediteriane, të zbatueshme nga 1 janari 2025”. Kjo nisëm ligjore u miratua me 75 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.
Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e (i) miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d. o. o. ; dhe (iii) ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”. Kjo nisëm ligjore nuk u miratua. Ajo mori 1 votë pro, 1 abstenim dhe 73 kundër.
Në rend dite është parashikuar të shqyrtohet edhe projektvendimi për “Për dërgimin e mocionit në gjykatën kushtetuese”, për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. Kjo nisëm ligjore nuk u miratua. Ajo u votua kundër nga 61 deputetë, 12 abstenim dhe 0 pro.
Miratimi i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit u miratua me 74 pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.