Në raportin vjetor të vitit që lamë pas SPAK adreson 10 problemet që ka hasur gjatë 2024.Në vend të parë qëndron presioni i jashtëm ndaj SPAK. Po kush e ushtron presionin e jashtëm sipas SPAK?
Krimi i organizuar, politika dhe aktorë mediatikë. Këta të tre janë gjurmuar nga SPAK gjatë 2024 të dyshuar që u përpoqën të cenojnë pavarësinë kushtetuese dhe bilancin e hetimeve.Në raportin që i është dorëzuar kuvendit përmenden dëmet që shkaktohen ndaj SPAK nga këto presione të kategorizuara si “ndërhyrjet e jashtme që rrezikojnë gjithashtu integritetin e prokurorëve.”
Si zgjidhje, SPAK propozon reagimin e të gjitha institucioneve që janë përgjegjëse në ruajtjen e pavarësisë dhe të prokurorëve që shërbejnë aty. Klima që përshkruan SPAK për vitin që lamë pas lidhet direkt me hetimet ndaj politikanëve dikur funksionarë të lartë, drejtues institucionesh të vënë nën hetim gjatë 2024 dhe që qartësisht pas sollën akuza publike ndaj prokurorëve dhe nga ana tjetër edhe deklarata nga KLP për ndalim të presioneve dhe gjuhës së urrejtjes.
E njëjta gjë ndodhi edhe pas goditjen që mori krimi i organizuar i ekspozuar sidomos nga aplikacionet Sky ECC, një hetim që përfundoi në gjykatën kushtetuese dhe rriti tensionin në drejtësi. Nga ana tjetër në listën e dhjetë problemeve të ndeshura, në vend të 2 qëndron vakumi ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm kur ata të përfundojnë mandatin 9 vjeçar. Dhe një situatë e tillë rrezikon të cenojnë standardin e hetimeve të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe ndërkombëtarët- përmendet në raport. Si problem i 3, është renditur mungesa e këshilltarëve ligjorë që vë në rrezik ndjekjen e çështjeve deri në gjykatën kushtetuese. Pa zgjidhje vazhdon edhe njohja e vendimeve penale të huaja ndaj personazheve të botës së krimit të organizuar që mbahet nga gjykatat e zakonshme.
Për këtë SPAK kërkon ndryshim të ligjit.
Ndërkohë korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdon të denoncohet fare pak nga institucionet shtetërore përfshi edhe Policinë. Ndërsa mungesa e sistemit të administrimit të çështjeve, mungesa e njësisë së analizës, statusi i specialistit ndërlidhës për hetimet e përbashkëta ndërkombëtare i cili nuk duhet të trajtohet si nëpunës civil, presin ende zgjidhje. Sikurse edhe mos ekstradimi i shtetasve shqiptarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.