Ballina Shqiperia ime Kursimet e shqiptarëve, 1.36 trilionë lekë në 2024-ën

Kursimet e shqiptarëve, 1.36 trilionë lekë në 2024-ën

Depozitat totale në sistemin bankar shqiptar kanë ndjekur kryesisht një trend rritës gjatë vitit 2024, duke reflektuar një besim të qëndrueshëm të qytetarëve dhe bizneseve tek bankat si një instrument sigurie dhe investimi. Në dhjetor, ato arritën vlerën e 1.36 trilionë lekëve, nga 1.32 trilionë që ishin në fillim të vitit. Megjithëse muajt e parë nga Janari deri në Prill shënuan një rënie të lehtë, periudha pasuese solli një rikuperim gradual, duke treguar një rritje të qëndrueshme të kursimeve dhe fondeve të mbajtura në banka.


Në një ndarje sipas monedhave, depozitat në lekë kanë shfaqur një rritje më të fortë krahasuar me ato në valutë. Në fund të dhjetorit 2024, kursimet në monedhën vendase u rritën me 8% krahasuar me një vit më parë, duke arritur në 6.2 miliardë lekë nga 5.7 miliardë lekë që ishin në dhjetor 2023. Përkundër kësaj, depozitat në monedhën e përbashkët europiane kanë patur një rritje vjetore  më të moderuar prej 0.9%, duke prekur nivelin e 7.32 miliardë eurove në fund të dhjetorit 2024. Pavarësisht kësaj, pesha e depozitave në valutë vijon të mbizotërojë në sistemin bankar shqiptar, duke përfaqësuar 53.8% të totalit, ndërsa ato në lekë përbëjnë 46.2%.

Një analizë më e thelluar e të dhënave nga “Scan Intel” tregon se depozitat e transferueshme përbëjnë pjesën më të madhe të totalit si në lekë, ashtu edhe në valutë. Kjo tregon  se qytetarët dhe bizneset preferojnë fleksibilitetin që ofrojnë këto forma kursimesh, duke i mbajtur fondet të aksesueshme sipas nevojave. Nga ana tjetër, depozitat me likuiditet të lartë dhe pa afat mbeten në nivele më të ulëta, çka mund të sinjalizojë një mungesë interesi për kursime afatgjata .

Në tërësi, rritja e depozitave në lekë dhe stabiliteti i kursimeve në valutë tregojnë një ekuilibër të ri në sjelljen financiare të individëve dhe bizneseve. Ky trend reflekton edhe një adaptim të qytetarëve ndaj dinamikave ekonomike, ku monedha vendase po fiton terren krahas valutës së huaj.