Fier/Vijon megaoperacioni i koduar “Territor i pastër”.
Finalizohet operacioni i koduar “Peshtani”, goditet 1 tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike, arrestohen në flagrancë 2 autorët e dyshuar.
Asgjësohen 295 bimë narkotike që ishin kultivuar në tokën e njërit prej të arrestuarve, në fshatin Peshtan. Sekuestrohen 1 armë gjahu që e posedonte po ky shtetas dhe 6 celularë.
Në zbatim të masave të planit operacional “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë finalizuar operacionin “Peshtani”, si rezultat i të cilit, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u godit 1 rast i kultivimit të bimëve narkotike në një zonë pyjore, në fshatin Peshtan, Fier. Për këtë rast u arrestuan në flagrancë shtetasit T. Q., 57 vjeç, dhe L. R., 35 vjeç, të dy banues në fshatin Peshtan, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë kultivuar bimët narkotike në tokën pronësi të shtetasit T. Q..
Gjithashtu, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit T. Q., shërbimet e Policisë gjetën 1 armë gjahu që ai e posedonte pa leje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me 6 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.