Ballina Aktualitet Kryebashkiaku i Fierit dyfishon pagën e vet,rritja e pagave për shefat në...

Kryebashkiaku i Fierit dyfishon pagën e vet,rritja e pagave për shefat në bashki votohet edhe nga këshilltarët e PD

Vendimi i Bashkisë së Fierit për të rritur maksimalisht pagën e kryetarit dhe administratës së bashkisë është miratuar unanimisht në mbledhjen e këshillit bashkiak, por larg vëmendjes së medias.

Ndonëse VKM-ja e qeverisë përcaktonte një kufi nga 2 milion e 55 mijë lekë të vjetra për pagën e kryebashkiakut deri në 2 milionë e 900 mijë lekë, Armando Subashi zgjodhi të rrisë rrogën e tij 88% duke zgjedhur kufirin maksimal prej 2 milionë e 900 mijë lekësh të vjetra, po ashtu për tre nënkryetarët e kësaj bashkie, Adela Hysenaj, Andius Olldashi dhe Eleni Gjikondaj, paga u rrit me 78%, nga 1 milion e 26 mijë lekë që merrnin më parë më parë, të tre nënkryetarët do të paguhen ne 2 milion e 25 mijë lekëve të vjetra.

Por ndryshe nga treshja drejtuese e bashkisë, rritja e pagave ishte e ulët për 13 administratorët e njësive administrative. Ato u rritën vetëm me 22%, ndërsa pagat e 13 drejtorëve të drejtorive me 25%.

Nga rritja e pagave përfituan edhe këshilltarët bashkiakë, të cilëve ligji iu dikton një rritje sa 10% i pagës së kryetarit të bashkisë, por në përqindje rritja ishte njësoj sa e kryetarit. E në këtë pikë, këshilltarët e djathtë në Fier e harruan mosbindjen civile që dikton politika në Tiranë. Mbyllën sytë e votuan bashkë me mazhorancën.

“Në gusht, miratuam rritjen për zjarrfikësit, ndërsa në shtator për punonjësit e bashkisë me arsim të lartë, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave, duke marrë parasysh diapazonin e përcaktuar nga shteti. Këshilli Bashkiak, me shumicë votash, miratoi pa dallim rritjen e pagave, duke filluar nga kryetari deri te specialistët”, tha Ilia Fili, këshilltar i PD-së në Bashkinë e Fierit.

Nga kjo rritje u përjashtuan plotësisht 817 punonjës të shërbimeve bazë, që do vazhdojnë të marrin paga minimale. Për ta nuk menduan sa të majtë e as të djathtë, duke ia lënë fajin vendimit të qeverisë.

“Nuk e përcakton vkm. Po rishikojmë një mundësi për rritjen e pagave në 2025”, tha Eleni Gjikondaj, nënkryetare e Bashkisë së Fierit.

“Për punonjësit e bashkisë me arsim të mesëm dhe të ulët, kemi bërë një rritje pagash në fund të vitit të kaluar dhe po shpresojmë se, pas bilancit të ndryshimeve aktuale, do të shqyrtojmë mundësinë për rritje, sado të vogël, për këtë kategori.”, u shpreh Ilia Fili, këshilltar i PD-së në Bashkinë e Fierit

Kjo rritje pagash nuk tregoi gjë tjetër veç thellimit të kontrastit mes funksionarëve të lartë, nëpunësve civilë dhe pjesës tjetër të punëtorëve të thjeshtë, nevojat e të cilëve nuk janë marrë parasysh.

T/CH