Komisioni i Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” zhvilloi sot seancë dëgjimore me kreun e Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Ervin Koçi i cili deklaroi se edhe në Shqipëri ka pasur tentativa apo sulme me objektiv institucionet financiare.
“Burimet e financimit që përdoren për dezinformim janë një nga sfidat në aktivitetin tonë për rritjen e efikasitetit parandalues që kërkon angazhim dhe parandalim nga të gjitha institucionet. Vitet e fundit, në shumë vende partnere kemi parë tendencë në rritje, ku subjektet e huaja duke përfshirë edhe aktorë shtetërorë apo jo shtetërorë, angazhohen në mënyrë aktive në destabilizimin e sistemeve financiare.
Metodat e tyre janë të ndryshme, duke përfshirë manipulimin e tregut financiar, flukset e paligjshme financiare, sulmet kibernetike nga institucioneve financiare dhe përhapjen e dezinformatave, që synojnë minimin e besimit në ekonomi”, tha Koçi. Kreu i AIF-së shtoi se, edhe vendi ynë nuk i ka shpëtuar këtyre tentativave.
As vendi ynë nuk i shpëton tentativave nga vende jo miqësore apo grupe interesi, me qëllime të caktuara në ekonominë shqiptare. Për më tepër, në rang ndërkombëtar pranohet se rritja e përdorimit të kriptomonedhave dhe instrumenteve financiarë dixhitalë, ka ofruar kanale pagesash për aktorët e jashtëm, për të vepruar në hije jashtë mbikëqyrjes tradicionale rregullatore”, përfundoi ai.