Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ftuar qytetarët e Kosovës dhe diasporën që të shmangin kalimin transit përmes territorit të Serbisë.
Në një njoftim publik të publikuar të mërkurën në Facebook, MPJD-ja ka bërë thirrje që të shmangen të gjitha hyrje-daljet në vendkalimet kufitare Kosovë-Serbi.
Thirrja bëhet pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshilli Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare.
MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, në protestën e ish-punonjësve të institucioneve paralele serbe në komunat në veri të Kosovës, serbët që protestuan paralajmëruar veprime radikale deri në bllokim të kufijve, raporton Koha.
Nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara, të premten Policia e Kosovës ndërmori një aksion për mbylljen e 5 institucioneve paralele serbe, komunës se Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunës paralele të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, Zubin-Potokut dhe asaj të Leposaviçit.