Këshilli drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, RTSH, ka zhvilluar mbledhjen e parë që nga 17 marsi ku parlamenti miratoi kryetarin dhe anëtarët e tij.
Këshilli Drejtues i RTSH, u njoh me aktet e parlamentit për mandatin e gjithsecilit dhe më pas u votua për nënkryetarin, që u zgjodh z. Petrit Beci me 10 vota pro.
Në këtë mbledhje të parë, Këshilli Drejtues propozoi edhe ngritjen e një grupi pune për hartimin e një procedure të standardizuar për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm sipas përcaktimit ligjor të Statutit të RTSH.
Gjatë mbledhjes u diskutua dhe u ra dakord për të gjitha pikat e rendit të ditës.
Një pikë e rëndësishme e mbledhjes së parë ishte diskutimi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, që mbahet në datat 13–17 maj në Bazel të Zvicrës.
Për shkak të afateve të përcaktuara nga organizatorët e Eurosong, anëtarët u dakordësuan që të thërrasin një mbledhje tjetër brenda kësaj jave për të vijuar me procedurat e nevojshme.
Shqipëria do të përfaqësohet nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, me të cilën fituan edhe Festivalin 63 të Këngës në RTSH.