Një 46-vjeçar në qytetin e Vlorës është arrestuar pasi ka kërcënuar me armë zjarri bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, e më pas ka tentuar të arratiset.
Policia ka bërë me dije se po vijojnë hetimet e grupit hetimor për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për referimin e materialeve procedurale në Prokurori.
Njoftimi i policisë:
DVP Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fast”, për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale, në familje.
Kanosi për jetën, me armë gjahu (çifte), bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, kapet në flagrancë nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në tentativë për t’u larguar me motoçikletë, 46-vjeçari.
Sekuestrohen arma e gjahut (çifte) dhe motoçikleta.
Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e sotme, se një shtetas po kanoste për jetën, me armë gjahu çifte, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, në banesë, në lagjen “15 Tetori”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, është kapur në flagrancë në tentativë për t’u larguar me një motoçikletë, shtetasi Sh. Xh., 46 vjeç.
Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari kanosi familjarët, si dhe motoçikleta me të cilën tentoi të largohej.
Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për referimin e materialeve procedurale në Prokurori.