Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme me partnerët, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet si rezultat i shkëmbimit ndërkombëtar të inteligjencës policore, operacioni i koduar “Suporti”, për kapjen e një shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm.
Kapet në Republikën e Koresë dhe vihet në pranga një 50-vjeçar i dënuar me burgim të përjetshëm, për vepra të rënda penale kundër personit.
Në kuadër të operacionit “INFRA ATLAS” dhe si rezultat i shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Drejtorisë së Interpolit, Interpol Seulit dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit (Sektori Fugitives Investigative Support (FIS)), u finalizua operacioni policor i koduar “Suporti”, gjatë të cilit u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit Ervin Shahini, 50 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Historik i shkurtër i ngjarjeve kriminale:
Ky shtetas, në kohë të ndryshme të vitit 1995, duke përdorur armë të ftohta (thika), ka vrarë dhe plagosur shtetas që punonin taksistë.
Pasi i faturonte si taksi, për të shkuar në destinacionet e kërkuara, ky shtetas i godiste drejtuesit e automjeteve, me thikë, iu merrte automjetet dhe largohej nga vendi i ngjarjes. Të njëjtin mekanizëm ka përdorur në të gjitha ngjarjet, konkretisht:
– më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me shtetasit A. M. dhe N. K., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.
– më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S.H.;
– më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh. A.;
– më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.;
Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, ky shtetas është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme, jashtë Shqipërisë.
Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë.
Së fundi, është siguruar informacion se ky shtetas strehohej në Republikën e Koresë.
Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Seulin, vijojnë punën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.